Situata do rëndohet? Manastirliu: Spital të ri brenda 20 ditëve
Kur pikëpyetjet janë të shuma, Shqipëria ka marrë masa të forta dhe deri më tani janë 146 të prekur dhe 5 viktima, në një kohë që në Europë situata është më tragjike. Mjekët në vend, theksojnë se ka filluar rritja e rasteve të reja, por ende nuk është arritur piku. Sipas tyre piku pritet të jetë në maj.
Nga ana tjetër, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu gjatë konferencës online të qeverisë, bëri me dije lajmin se po bëhen gati të ngrenë një spital karantinë brenda 20 ditëve të ardhshme. “Po bëjmë gati të ngremë një strukturë të re, një spital karantinë për rastet jo të rënda”.
Ministrja deklaroi se është bërë një vlerësim për një objekt që po shqyrtohet për ta kthyer në një strukturë spitalore bazë për ata pacientë të cilët do të kenë nevoja të trajtimit jo specialistik.
“Kemi bërë sot një investigim në vendin ku mendojmë dhe besojmë të jetë ky objekt i cili do t’i nënshtrohet edhe një rehabilitimi dhe më pas edhe një plotësimi të nevojave bazë, me mobilimin spitalor dhe me aparaturat bazike që ne vlerësojmë për të pasur së afërmi dhe për të përballuar fluksin për ata pacientë që nuk do të jenë në gjendje të rëndë”.