Situata në çadra, flasin ekipet mjekësore në Mamurras
Në zonat e prekura nga tërmeti ekipi i mjekëve dhe infermierëve kanë qenë në gatishmëri për t’iu ardhur në ndihmë banorëve. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vlerësuar ekipin mjekësor në Mamurras të cilët kanë qëndruar në krye të detyrës dhe nuk e ka lënë për asnjë minutë shërbimin por i kanë ofruar kujdes shëndetësor banorëve në çadrat e emergjencës dhe në banesat e tyre.
“Punë e jashtëzakonshme e mjekëve dhe infermierëve në zonat e prekura nga tërmeti. Edhe pse qendra shëndetësore u dëmtua rëndë si pasojë e tërmetit, dr. Anila, infermiere Daniela dhe i gjithë stafi mjekësor i Mamurrasit dhe ambulancave përreth nuk e ka lënë për asnjë minutë shërbimin, por i kanë ofruar kujdes shëndetësor banorëve në çadrat e emergjencës dhe në banesat e tyre. Bashkë ringrihemi më të fortë”.
Më tej, ajo shton se “jemi këtu të gjithë së bashku për të garantuar se kujdesi shëndetësor do të vazhdojë në të gjitha zonat. Edhe në ato zona të prekura nga tërmeti. Janë 12 objekte të shëndetësisë që janë të vlerësuara me dëmtime serioze apo dëmtime të lehta. Një gjë dua të garantoj që shërbimi do të vazhdojë edhe me programet tona. Kontrolli Mjekësor Bazë nëpërmjet 5 njësive të lëvizshme”.
Nga ana e saj, Anila Lleshi, mjeke në qendrën spitalore në Mamurras u shpreh se “shërbimi shëndetësor nuk ka munguar për asnjë moment nga ana e ekipit tonë mjekësorë, si nga mjekët ashtu edhe nga infermierët. Kemi kryer shërbimet tona shëndetësore edhe nëpër çadra, në familje”.
Edhe Daniela Baboçi, infermierë pranë ambulancës Zhejë u shpreh se “në situatën që u gjendëm për shkak të tërmeti shkuam në terren si ekip mjekësorë për t’iu gjendur pranë pacientëve”.