Sizmologët: Nuk priten më lëkundje të forta, kthim në përditshmëri

Sizmiologët thonë se vala goditëse e lëkundjeve të tërmetit është zbehur ndjeshëm gjatë ditëve të fundit.

Rrapo Ormeni, sizmiologu i njohur shqiptar, shprehet se  njerëzit tashmë duhet t’i rikthehen përditshmërisë së tyre, pasi tashmë është vënë re se paslëkundjet po shuhen. “Kryesisht pasgoditjet që shoqërojnë goditjen kryesore regjistrohen afër zonës epiqendrore por edhe në një rajon më të gjerë. Pra ato kanë shtrirje të tyre për disa kilometra dhe vijueshmëria e tyre në kohë, siç e shikojmë deri tani, numri i tyre ka ardhur në rënie”, tha Ormeni në një prononcim për A2.

Ky nuk është tërmeti i parë i fortë që godet qytetin bregdetar. “Durrësi është goditur historikisht nga tërmete të fortë, një para Krishtit, një në vitin 506, dhe një në vitin 1273 që është i shkruar në kronikat e kohës si një ndër tërmetet e mëdhenj të kohës që e ka bërë Durrësin të pabanueshëm në atë kohë”, thotë Ormeni. “Pastaj ka pasur edhe tërmete të tjerë në vitin 1879 dhe në vitin 1926, i cili ka pasur karakteristika të ngjashme me të, me magnitudë 5,8 dhe disa orë më vonë 6,2 e pastaj ka vazhduar me serinë e pasgoditjeve e deri sa është shuar fare”- thotë ai.

Qendra Evropiane Mesdhetare: Tërmeti i fundit 2.6, vijon ulja e pasgoditjeve

Qendra Evropiane Mesdhetare e Sizmologjisë EMSC ka njoftuar se në Shqipëri është ulur numri i pasgoditjeve 24 orët e fundit si dhe magnituda e tyre. Duke iu përgjigjur një mesazhi të një qytetari, i cili pyet nëse është e vërtetë që prej 6 orësh nuk ka pasur pasgoditje apo nëse aplikacioni i njoftimeve nuk funksionin, EMSC shkruan në Twitter se lëkundja e fundit e regjistruar në rrjetet sizmike, është ajo e rreth tre orëve më parë, me një magnitudë prej 2.6 ballë. “Nuk kemi asnjë indicie se kjo lëkundje është ndjerë, ose njerëzit janë mësuar dhe nuk raportojnë më për lëkundjet e lehta. Në çdo rast, ky është një lajm i mirë. Duket se shkalla e tërmetit është duke rënë”, thuhet në këtë njoftim zyrtar të EMSC.

SHKARKO APP