S’ka celularë në shkolla, urdhi i ri: Do sekuestrohet

Pas Parlamentit francez, i cili e ndaloi me ligj përdorimin e celularëve në shkolla, nga cikli fillor tek ai i mesëm, edhe Ministria e Arsimit ka urdhëruar drejtorët e shkollave se, vitin e ri shkollor telefoni celular do të jetë i ndaluar, si për nxënësit edhe për mësuesit. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla është detyruar të bëjë një udhëzim të ri edhe më të rreptë që vjen bashkë me sanksionet në rast shkeljeje nga nxënës e mësues.

Nëse i pari, ndalon përdorimin vetëm gjatë procesit mësimor, udhëzimi nr.34, datë 16.11.2018 i ndalon fëmijët edhe t’i marrin me vete ato (mësuesit jo). “Në mbështetje të nenit 102 të kushtetutës së republikës së Shqipërisë dhe nenit 6 të ligjit, 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar”, udhëzoj: në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare është e ndaluar të disponohet telefon celular nga nxënësit dhe mësuesit”.

Ata që shkelin urdhrin e ministrisë do të përballen me penalizime që nisin me masë disiplinore për nxënësit dhe sekuestrim të telefonit, i cili përfundon në Policinë e Shtetit. “Në rast të konstatimit të disponimit të telefonit celular nga nxënësit në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare, drejtoria e institucionit sekuestron telefonin celular dhe zbaton masa disiplinore sipas kuadrit ligjor në fuqi. Telefonat e sekuestruar depozitohen pranë institucioneve arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar. Masat e marra ndaj nxënësit i njoftohen me shkrim prindit ose kujdestarit ligjor të nxënësit”, citohet në udhëzim.

Swiss Digital Desktop Reklama

MAS ngarkon me përgjegjësi drejtoritë e shkollave për zbatimin e urdhrit, duke nisur që me përfshirjen e kësaj të fundit në rregulloren e brendshme të shkollës, zhvillimin e takimeve me prindërit për këtë temë si dhe vendosjen e posterave të ndryshëm në ambientet e shkollës. Për zbatimin e nismës, mësuesi kujdestar do të duhet të nënshkruajë një deklaratë të përbashkët me prindërit ku të bien dakord që fëmijët e tyre të mos kenë celulare me vete kur nisen në shkollë. Pyetja e natyrshme që lind pas kësaj: si do të bëhet në raste emergjente?! Për këtë do të kujdeset drejtoria e shkollës. “Drejtoritë e institucioneve arsimore të marrin masa për të vënë në dispozicion numër telefoni të veçantë për komunikimin me prindërit e nxënësve dhe t’ia bëjnë me dije prindit në deklaratën e përbashkët”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Urdhri për ndalimin e celularëve përfshin dhe mësuesit. Edhe për ta drejtoria e shkollës monitoron e ndëshkon, por vetëm në rast se e përdorin gjatë mësimit, dhe jo në ambientet brenda shkollës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?