Skadon afati i regjistrimit të partive në zgjedhjet lokale. Ja partitë e regjistruara
Sot skadon afati për regjistrimin e partive politike në zgjedhje. Kodi Zgjedhor ka parashikuar që partitë politike mund të regjistrohen pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, jo më vonë se 70 ditë nga data e zgjedhjeve.
Në nenin 64 të Kodit Zgjedhor specifikohet afati, ku theksohet se: “Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ, jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve”.
Presidenti Meta ka dekretuar si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore 30 qershorin dhe sipas përllogaritjes së Kodit Zgjedhor, afati i fundit i subjekteve zgjedhore për t’u bërë pjesë e procesit elektoral ishte 21 prilli. Duke qenë se 21 prilli ishte ditë pushimi zyrtar, ky afat u shty për ditën e sotme deri në orën 24:00. Vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka parashikuar të zhvillojë sot një mbledhje, ku në rendin e ditës ka regjistrimin e 9 partive politike për zgjedhjet e 30 qershorit.
Sipas njoftimit të KQZ-së, pritet që në garë të futen edhe parti të tjera të vogla si “Partia e Reformave Demokratike Shqiptare”; “Partia Demokracia Sociale” e Paskal Milos; “Partia Zgjidhja” e Koço Kokëdhimës; “Partia e Pajtimit Kombëtar”; “Partia Socialpunëtore Shqiptare”; “Partia Ligj dhe Drejtësi”; “Partia Fryma e Re Demokratike”; “Partia Aleanca Kuq e Zi”; “Partia Lista e Barabartë”. Deri më tani janë regjistruar në KQZ 34 parti mes tyre edhe tre ish-aleatë të PD. Gjithsesi, pritet që ditën e sotme në KQZ të paraqiten edhe kërkesa të tjera për subjektet zgjedhore që kërkojnë të jenë garuese në zgjedhje.
KOALICIONET
Kodi Zgjedhor ka parashikuar një afat tjetër kohor për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhje që mund të jetë edhe mundësia e fundit për partitë që nuk kanë mundur të paraqiten në kohë pranë KQZ-së. Neni 65 i Kodit Zgjedhor flet për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhje ku thuhet se: “Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi, jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Partia politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë kandidatë apo listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë”. Kësisoj, sipas kësaj pike, afati i fundit për t’u regjistruar është dita e parë e muajit maj që edhe kjo përkon në kalendarin e festave zyrtare.
Praktikisht, duke ndjekur edhe praktikën e shtyrjes së afatit më partitë politike, edhe koalicionet zgjedhore do të kenë afat të fundit datën 2 maj për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Nga kampi i majtë, të gjitha partitë deri tani janë futur më vete në zgjedhje, duke mos u paraqitur ende në KQZ si një grupim politik në formën e koalicioneve.
KOHA JONË SONDAZH

