Skadon sot përzgjedhja e 10 preferencave për në universitet

Mbaron sot faza e aplikimeve për të gjithë maturantët dhe kandidatët që duan të vijojnë studimet e larta në një nga fakultetet publike apo private të vendit, përgjatë vitit të ri akademik 2016-2017.

Autoritetet zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve, theksojnë se kush nuk aplikon në sistem duke regjistruar dhjetë preferencat për studimet e larta, nuk mund të përfitojë nga kuotat e miratuara për raundin e parë të pranimeve.

Referuar kalendarit të AKP-së për aplikimet, maturantët e Kukësit, Hasit, Tropojës, Dibrës, Matit dhe Bulqizës duhet të përfundojnë përgjatë ditës së sotme plotësimin e formularit online.

Swiss Digital Desktop Reklama

Mbyllja e fazës së regjistrimit të preferencave i hap udhë nisjes së garës zyrtare të përzgjedhjes së fituesve, sipas kritereve të përcaktuara në mënyrë individuale nga secili universitetet publik dhe privat, i licencuar për të ofruar studime të larta përgjatë vitit të ri akademik. Deri në mbyllje të javës, AKP do të bëjë të mundur përpunimin e të gjithë elementëve të marrë nga plotësimi i formularit për çdo kandidat, të dhëna të cilat do shkojnë në universitete, pasi këto të fundit do të bëjnë edhe renditjen finale të fituesve për çdo degë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Deri në mbyllje të kësaj jave, AKP do të detajojë edhe listat zyrtare të gjithë kandidatëve që kanë kërkuar të vijojnë studimet në programet e arteve dhe sporteve, ku shpallja e fituesve do të bëhet me konkurs, ndryshe nga sa ndodh në degët e universiteteve të tjera. Këta kandidatë, duhet të paraqiten pranë këtyre dy universiteteve, për të bërë regjistrimin e hyrjes në konkurset e pranimit, të cilat do të zhvillohen në dy javët e fundit të muajit gusht.

“Agjencia Kombëtare e Provimeve do të çojë në universitetet brenda datës 16 gusht, listën e aplikantëve që kërkojnë të jenë pjesë e degëve me konkurs. Ndërkohë që brenda datës 30 gusht duhet të dorëzojë edhe në të gjitha universitetet e tjera listën zyrtare të gjithë kandidatëve të regjistruar, së bashku me notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme, rezultatet e provimeve të Maturës, si dhe tregues vlerësimi të tjerë të nevojshëm për renditjen dhe shpalljen e fituesve nga ana e universiteteve.

Regjistrimet dhe zhvillimi i konkurseve të pranimit për degët e arteve dhe sporteve duhet të zhvillohen deri në mbyllje të muajit gusht. Brenda datës 4 shtator këto institucione duhet të hedhin në sistem të gjitha të dhënat në lidhje me rezultatet e marra nga kandidati gjatë fazave të konkursit”, përcaktohet në udhëzimin e MAS. Sipas MAS, kandidatët që nuk mbyllën dot në kohë aplikimin online, do kenë edhe një shans të dytë në sezonin e vjeshtës, ku do të konkurrojnë sërish për kuotat që do mbeten të paplotësuara.

Afatet e renditjes së fituesve

Shpallja e listave të fituesve do të bëhet përgjatë nisjes së muajit shtator. Por, pas daljes së rezultateve kandidatët do të gëzojnë edhe të drejtën e ankimimit, procedurë e cila duhet të bëhet brenda tri ditëve kalendarike nga momenti i shpalljes së listës paraprake të fituesve. Udhëzimi i MAS, i detyron universitetet që të japin argumentet përkatëse në lidhje me pretendimet e ngritura nga çdo kandidat brenda dy ditëve nga momenti i dorëzimit të ankesës.

Nëse maturantët mund të jenë sërish të pakënaqur me përgjigjen mund të ankohen më tej në rrugë gjyqësore. Universitetet do të shpallin fillimisht listat jopërfundimtare të fituesve, të identifikuar me ID-në e tyre brenda datës 5 shtator. Ndërkohë, pas përfundimit edhe të afateve të ankimimit dhe shqyrtimit të ankesave, do të shpallen listat përfundimtare të fituesve të identifikuar me ID-në e kandidatit. Shpallja e këtyre listave do të bëhet në datën 11 shtator.

Më pas të gjithë kandidatët, që kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e pare dhe janë shpallur i fitues duhet të kryejnë procesin e regjistrimit online, si dhe atë me dokumentacion në sekretaritë mësimore të fakulteteve në programin e studimit që dëshirojnë të ndjekin. Kjo procedurë do të bëhet në datat 13-20 shtator 2016.

Kandidati që është shpallur fitues në më shumë se një program studimi, lejohet të regjistrohet vetëm në njërin nga programet, duke vendosur vetë se në cilin prej tyre do të shkojë.  Në udhëzim përcaktohet se kandidati, pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacion dhe ka nënshkruar në regjistër, nuk ka të drejtë të ndryshojë programin e studimit, për atë vit akademik.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?