Skandali me ushqimin për kafshët, çështja kalon në Prokurori. Sasia u kap me aflatoksinë
Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula thotë se çështja e ushqimit për kafshët që u kap me aflatoksinë në Shkodër, është referuar në Prokurori për ndjekje penale. Rasti përfshin subjektin “MODI”, ku sipas autoriteteve janë konstatuar shkelje serioze gjatë importit dhe përdorimit të misrit rifuxho. Analizat laboratorike të kryera më 26 shkurt 2026 kanë zbuluar praninë e aflatoksinës B1 mbi normat e lejuara, duke ngritur shqetësime për sigurinë ushqimore.
Gjatë kontrolleve në terren, inspektorët kanë evidentuar mungesë të theksuar të gjurmueshmërisë së produktit. Nga 104 tonë misër të importuar në fund të vitit 2025, pjesa më e madhe rezultonte e përzier dhe pa identifikim të loteve. Akoma më shqetësues është fakti se në kontrollin fizik të datës 4 mars 2026 janë gjetur vetëm 9.5 tonë nga sasia e bllokuar. Sipas Sulës, kjo tregon për lëvizje të paligjshme të produktit dhe shmangie të kontrollit shtetëror.
Autoritetet theksojnë se subjekti ka përdorur produkt të bllokuar dhe ka prishur shenjat e sigurisë, duke shkelur hapur legjislacionin në fuqi për ushqimin për kafshë. Çështja tashmë i është kaluar Prokurorisë dhe lidhet me disa vepra penale, përfshirë tregtimin e produkteve të pasigurta, mashtrimin dhe ndërhyrjen në masat e sigurisë.
Sula sqaroi se deri tani nuk ka prova që ky rast të ketë ndikuar drejtpërdrejt në sigurinë e vezëve apo produkteve të tjera për konsum njerëzor. Ndaj subjektit janë marrë masa të menjëhershme administrative, përfshirë gjoba dhe urdhër për asgjësimin e sasisë së mbetur deri më 3 prill 2026. Autoritetet kanë paralajmëruar ngritjen e një trupe mbikëqyrëse për të garantuar kontroll të plotë dhe gjurmueshmëri të produkteve në vijim.
KOHA JONË SONDAZH

