Skeda/Kush është Domart Konjari i akuzuar për 8 vrasje e trafik kokaine

Domart Konjari, i shpallur në kërkim për vrasjen e Devi Kasmit me 9 plumba natën e kaluar në Tiranë është një personazh i njohur i botës së krimit. Konjari u arrestua në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në nëntor të vitit 2015, për llogari të autoriteteve franceze ku ndaj tij kishte një dënim nga gjykata me 10 vite burg. Mirëpo, pesë muaj më vonë pas arrestimit, Apeli i Krimeve të Rënda zbuti masën e sigurimit ndaj Konjarit, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje” për shkelje të procedurave.

Kjo bëri që Konjari të arratisej dhe të jetë ende në kërkim. Në dosjen që Krimet e Rënda kanë marrë nga autoritetet franceze, renditen me detaje të gjitha veprimtaritë e Konjarit në Shqipëri, Francë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Gjermani.

43 –vjeçari nuk është emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Në vitin 2006 ai u arrestua për vrasjen e Fatjon Naxhakut, tek Shkolla e Kuqe. Por u lirua pas pak kohe, për shkak se hetimet provuan se ai e kishte kryer krimin për vetëmbrojtje, pasi Naxhakun e qëlloi me pistoletën e tij gjatë një tentative të viktimës për ta ekzekutuar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Arratisja në dhjetor 2016
Duke qenë se vepra për të cilën akuzohej në Francë, “trafik lëndësh narkotike”, ishte në kompetencë të Gjykatës për Krime të Rënda, dosja me arrestimin e tij u kalua nga Gjykata e Korçës për në Tiranë. Në bazë të një vendimi, i cili u kontestua nga ana e Prokurorisë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Shkurt 2016 urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij dhe masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërkohë që Konjari fitoi lirinë, Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimet e saj për veprat e akuzuara në Francë, në bazë të materialeve të mbërritura nga autoritetet zyrtare të Parisit. Në bazë të këtyre hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi sërish në Dhjetor 2016 caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Konjarit. Kjo kërkesë u pranua nga ana e Gjykatës, por ndërkohë, ai nuk është gjetur ende nga policia pavarësisht se me vendim gjykate, ai duhej të paraqitej pranë Policisë Gjyqësore në mënyrë periodike.

Lidhja e Domart Konjarit me Konomin dhe atentati ndaj tij
Në fillim të viteve ‘90 në Tiranë u shfaqën “të fortët” e parë, që në fakt nuk kishin asnjë lidhje me grupet e krimit të organizuar që filluan të vepronin në vitet në vazhdim. Por organizimi i tyre nuk zgjati shumë dhe filluan të ndaheshin në zona, më pas të vrisnin njëri-tjetrin. Në zonën e “Trenit të vjetër” dhe të “Restorant Durrësit” drejtonte Naim Zyberi dhe miqtë e tij, Franc Konomi e Fatos Keta. Ata kishin në zotërim tërë lagjen e tyre dhe bënin një grupim shumë të madh në kryeqytet. Duke ndjekur unazën vinte lagjja e Gazmend Muçës, në “Rrugën Bardhyl”.

Në këtë zonë Gaz Muça ishte njeriu më i njohur dhe bënte ligjin sipas mënyrës së tij. Duke qenë se ai dhe Naim Zyberi ishin “të fortë” lagjesh, kishin njohje me njëri-tjetrin por edhe konflikte. Konflikti i fundit ndërmjet tyre ka lindur në prill të vitit 1992. Franc Konomi, miku i ngushtë i Konjarit, do të mbahej më tepër si një nga ata që morën pjesë në atentatit që iu bë më 7 prill 1992 te “Xhamlliku” Gaz Muçës, edhe pse në atë ngjarje u tha se morën pjesë 4 vetë, edhe vetë Naim Zyberi.

Por edhe ndaj tij u morë hak, më 6 gusht 1997, pasi u vra në një spital në Milano të Italisë. Pak ditë para vrasjes, ndaj tij ishte bërë një atentat në të cilin mbeti i plagosur. Zyberi në atë kohë u cilësua si autori i vrasjes së Gaz Muçës dhe Artur Grorit. Ndërsa në dhjetor 1997, ekzekutohet Fatos Keta, i cili cilësohej si një nga miqtë më të ngushtë dhe të besuar të Naim Zyberit.

Më 31 korrik 1998 vritet edhe vëllai i Gaz Muçës, Taulanti. Por vrasja e Fatjon Naxhakut më 3 gusht 2005 në afërsi të “Shkollës së Kuqe”, duket se është dhe pika e ndezjes fort të gjakrave mes Franc Konomit dhe kundërshtarëve të tij. Naxhaku, që kishte mundur të arratisej në mënyrë spektakolare nga burgu i Marsejës në Francë, ishte nisur për të ekzekutuar Domart Konjarin, mikun e ngushtë të Franc Konomit, por nga përballja me të mbetet vetë i vrarë.

E i fundit që u ekzekutua nga të dy grupet ishte Franc Konomi. Më 8 korrik 2010, 10 plumba u lëshuan drejt makinës ku ndodhej ai, pranë “Ushtarit të panjohur”, duke e lënë të vdekur në vend.

/Shqiptarja.com

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?