Skenar Hollivudi/ “Daily Mail” zbardh skemën e vrasjes së bosit shqiptar
Gazeta e madhe britanike, Daily Mail, ka zbardhur të tjera detaje nga vrasja e 36-vjeçarit shqiptar, Flamur Beqiri në Londër. Sipas gazetës, nuk kuptohet se përse një njeri i tillë jetonte në Angli. Ajo shton se shqiptari u vra pranë shkollës ku shkon princi George, çka e bën edhe më shqetësues eliminimin
‘Goditja’ u krye me një efikasitet të pamëshirshëm, si diçka nga filmat me gangsterë të Hollivudit, ose më saktë, si një dramë krimi e zezë Scandi.
Flamur Beqiri, një 36-vjeçar që e përshkruante veten si një producent i industrisë muzikore, po shëtiste me gruan dhe djalin e vogël drejt shtëpisë së tyre me vlerë 1.8 milionë sterlina, në një prej rrugëve më në modë në Londër, rreth orës 9 të mëngjesit, në prag të Krishtlindjes, kur një atentator i vetëm doli në heshtje nga hijet.
Fqinjët dëgjuan pesë të shtëna. Katër me shpejtësi, thuhet se u qëlluan në shpinën e Beqirit. Pasi ai ra në tokë, një plumb u zbraz në kokën e tij nga një distancë e vogël. Vrasësi u arratis.
Beqiri mbeti në një pellg gjaku, e shoqja Debora Krasniqi ulërinte për ndihmë. Pavarësisht përpjekjeve më të mira të një infermiereje që jetonte aty pranë dhe ekipit të ndihmës mjekësore, ishte e pamundur. Ai u shpall i vdekur në vendin e ngjarjes.
Në ditët që pasuan, u mësua se Beqiri ishte nga ata që policia pëlqen t’i quajë si njerëz me ‘lidhje’.
Emigranti shqiptar ishte shpallur një dekadë më parë si një prej njerëzve më të kërkuar në Suedi, një vend ku ishte rritur, mes pretendimeve se drejtonte një grup ndërkombëtar droge, të kapur duke trafikuar kanabis me një vlerë rruge prej 2 milionë sterlinash.
Ai u arratis për dy vite, por më pas u dorëzua te policia suedeze. Pasi qëndroi në paraburgim për pak kohë, pas një beteje të çuditshme ligjore, atij i dha një dënim i pezulluar dhe një gjobë, duke u lejuar të fitonte lirinë.
Sipas burimeve nga burgu, të cituara nga mediat suedeze, Beqiri dhe grupi i tij iu rikthye tregtisë kriminale. Megjithatë, ata menjëherë u përfshinë në një luftë të ashpër për territor me grupe rivale që kërkonin të kontrollonin rrugët e kanabisit dhe kokainës nga Maroku drejt Spanjës e më pas për në Malmo.
Teksa mosmarrëveshjet përshkallëzoheshin, shumë prej miqve të tij u sulmuan. Vitin e shkuar, një prej tyre u vra. Por Beqiri u vendos në Britani pasi mori mesa duket kërcënime me vdekje.
Një burrë i pashëm dhe me stil, ai u zhvendos në qarqet e luksit.
Një nga dy motrat e tij është Misse Beqiri, një ish-modele të brendshmesh dhe influencese në rrjetet sociale. Përmes saj, ai u njoh me Deborën, një brune e njohur për imazhet që poston në Instagram nga pushimet ekzotike, makinat luksoze dhe blerjet e markave të njohura.
Dasma e tyre luksoze në Liqenin Komo në Itali përfshinte një vello të gjatë shtatë metra, një tortë me katër kate, ndërkohë që të ftuarit tymosnin puro kubaneze. Thuhet se ajo kushtoi 1 milionë sterlina.
Por pas kësaj fasade luksoze, ngelen pyetjet se përse u lejua ky kriminel i dënuar, me lidhje me trafikun e drogës dhe krimin e organizuar, që të zhvendosej në Britani? Si mendonin autoritetet se i ka fituar këto para me të cilat financonte jetën luksoze?
Mbi të gjitha, përse vrasësit mendonin se mund të vrisnin një person, mesa duket pa u ndëshkuar, në mes të Londrës?