Skenarët për Covid-19/Mjeku i Spitalit Infektiv: Duhen dy javë që të shohim…

Kur Shqipëria është në shtetrrethim për disa ditë, si masë ekstreme e qeverisë ndaj koronavirusit, shumë pyetje dhe interes kanë shqiptarët. Mjeku i Spitalit Infektiv në QSUT, Arjan Harxhi, në një bisedë nga banesa e tij me A2, thotë se skenarët që kanë kaluar në Kinë dhe që po kalon Italia, duhet të jenë në optikën e politikbërësve shqiptarë për të marrë masat sipas skenarëve që mund të paraqiten.

“Me shifrat që po paraqiten, sistemi është në gjendje t’i përballojë. Është zënë më pak se 1/3 e kapacitet. Do të shohim në ditët në vazhdim se si do të evoluojë situata. E rëndësishme është që njerëzit të kuptojnë që jeta jonë nuk është më ashtu siç ishte, tashmë është ndryshe”.

Nga ana tjetër, Harxhi shtoi se infektimi i mjekëve tregon se personeli shëndetësor është i ekspozuar. “Është një betejë e mjekëve, infermierëve, e juaja si gazetarë, e atyre që punojnë, ndërkohë që pjesa tjetër e popullatës duhet të jetë e ndërgjegjshme që të zbatojë rregullat dhe të ndryshojë stilin e jetesës. Në një situatë e tillë, që mund ta shohim një herë në jetën tonë, duhet të jemi të ndërgjegjshëm që të qëndrojmë të izoluar që ta mposhtim këtë epidemi”.

Sa i përket shifrave që raportohen, Harxhi thotë se është e vështirë të gjykosh në pak ditë. “Do të duhen ndoshta dy javë që të shohim një trend, për të gjykuar që masat që janë marrë do të kenë efekt në kurbën e epidemisë, për të qenë në gjendje që rastet të jenë të menaxhueshme”.

SHKARKO APP