S*lmi ndaj Top Channel, ministri Balla: Kemi një pistë të besueshme, e kam pengun e përditshëm
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla i ftuar në “Top Story” dha disa detaje mbi hetimet e sulmit të pazbardhur ndaj Top Channel, ku mbeti i vrarë roja Pal Kola. Balla e quajti rastin si “pengun e tij të përditshëm”, ndërsa deklaroi se ka një pistë, të bazuar në informacione të besueshme. Ministri nuk dha më shumë detaje, për të ruajtur sekretin hetimor.
“Sulmi ndaj Top Channel është një prej akteve më të rënda që ka ndodhur në Shqipëri sepse nuk është goditur vetëm fasada, apo ka mbetur i vrarë një qytetar që punonte për të ardhura.
Top Channel është një institucion më vete, në kuptimin e një kontributi që ka sjellë në mediat shqiptare, është goditur një media, është një nga ato pengjet e mija të përditshme, ku një herë në javë Drejtori i Përgjithshëm raporton tek unë “top files”, për të cilat kemi një mbledhje çdo javë ku themi ku jemi.
Për të ruajtur sekretin hetimor nuk do hyjmë në një detaj,e por kemi një pistë të bazuar të informacione, por edhe për shkak të administrimit të një sërë elementësh, për të ndërtuar se si ka funksionuar. E rëndësishme është të thuash dhe t’i shkosh deri në fund, kush është qëllimi.. Në rast se nuk zbulohet në momentet e para është shumë e vështirë, janë provat që sigurohen më momentet e para. Angazhimin tim maksimal, e rëndësishme është ti shkojmë deri në fund”, tha ministri Balla.