“S’mund ti bëjnë presion shtetit!”, Rama iu përgjigjet banorëve të Astirit
Teksa është duke folur mbi prioritetet e dy viteve të fundit të mandatit, Edi Rama ka folur dhe mbi legalizimet, dhe ka përmendur dhe rastin e banorëve të Astirit që nuk janë dakord me dëmshpërblimet.
Kreu i qeverisë tha se do të mbyllet procesi i legalizimit për banesat, dhe do të legalizohen të gjitha banesat në zonat rurale, ndërsa shtoi se nuk do të ketë të njëjtin fat askush që ndërton mbi akse kombëtare.
‘’Mbyllja e procesit të legalizimeve për shtëpitë, dhe legalizimi përfundimtar i tokës, ende jo për bizneset. Historia e legalizimeve është një histori suksesi në njërën anë, dhe një histori dëshpërimi në anën tjetër.
Shtëpitë në fshat do të legalizohen të gjitha, ndërsa në qytet ato që nuk mund të legalizohen do të regjistrohen, në akset kombëtare nuk do të ketë asnjë legalizim. Nuk mund të bëjnë me presion dhe shantazh ndaj shtetit. Çfarë ti them unë asaj zonjës që thoshte se shteti ishte tallur me të se kishte marrë 130 milionë lekë?“, u shpreh Rama.