Socialistët eksperimentojnë votimin elektronik për zgjedhjet për delegatët e Kongresit
Fillon procesi i votimit, sipas parimit një anëtar një votë, për zgjedhjet e delegatëve të Kongresit të Partisë Socialiste:
Fjala për media e Sekretarit për Marrëdhëniet me Shoqërinë Civile dhe Mediat, Alfred Peza:
Sot, në orën 08:00, në të gjithë vendin ka nisur procesi i votimit sipas parimit “një anëtar, një votë” për zgjedhjet e delegatëve të Kongresit të Partisë Socialiste. Për këtë proces, janë të regjistruar në listat e votimit 103056 anëtarë partie, prej të cilëve 27732 janë anëtare gra.
Në fletët e votimit për delegatët janë regjistruar 1496 kandidatë për delegatë të Kongresit të partisë, të propozuar e përzgjedhur nga strukturat vendore të partisë, prej të cilëve 698 janë kandidate për delegate gra, ose 47% e numrit të përgjithshëm të kandidatëve për delegatë, që do të votohen gjatë ditës së sotme.
Nga ky numër i kandidatëve për delegatë, do të dalin 706 delegatë të Kongresit, të zgjedhur drejtpërsëdrejti nga gjithë anëtarësia e Partisë Socialiste, në të gjithë vendin.
Në shkallë vendi janë regjistruar 60 komisionet e zgjedhjeve të partisë nëpër Bashki. Procesin e organizimit të votimit dhe monitorimit të tij në 60 bashkitë e vendit e bëjnë 300 anëtarë të komisioneve të zgjedhjeve të partisë nëpër bashkitë. Janë ngritur në shkallë vendi 363 vendvotime në Njësitë Administrative të bashkive dhe 1089 komisionerë po administrojnë procesin e votimit të anëtarësisë në këto Njësi Administrative të bashkive. Janë shpërndarë në të gjithë vendin në komisionet e zgjedhjeve në bashki, dosjet me materialet zgjedhore, listat e anëtarëve të partisë, fletët e votimit, procesverbalet e votimeve dhe baza materiale prej 366 kuti votimi dhe 366 dhoma të fshehta.
Ju njoftojë se votimi ka nisur normalisht dhe pa asnjë problem në të gjithë vendin. Në njësinë administrative Nr. 8 të Bashkisë së Tiranës, për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, në procesin zgjedhor të një partie politike do të zhvillohet votim elektronik dhe votim on-line.
Në votimin elektronik marrin pjesë 989 anëtarë partie, ndërsa në votimin on-line marrin pjesë 100 anëtarë partie. Numërimi i votave do të bëhet në të dy mënyrat e votimit.
Ky proces shënon një ditë të rëndësishme për jetën dhe veprimtarinë e Partisë Socialiste, i cili do të vijojë deri në orën 16:00 të ditës së sotme.
Ne do të vijojmë komunikimin së bashku, gjatë gjithë kësaj kohe, deri në daljen e rezultateve zyrtare për ta pasqyruar këtë proces me transparencë maksimale.
Faleminderit!