Sociologu: Rrjetet sociale dyfishuan ankthin dhe depresionin tek të rinjtë, me rëndësi masat kufizuese dhe ndërgjegjësimi

Sociologu pranë Université de Poitiers në Francë, Arbër Shtembari shprehet në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se rreziqet nga rrjeti social TikTok për të miturit dhe të rinjtë janë sidomos shkelja e privatësisë, siguria kibernetike dhe ekspozimi i të tyre ndaj rreziqeve të fshehura.

Sai i përket rreziqeve kryesore për sigurinë dhe privatësinë, sociologu shprehet se, “TikTok, si një nga platformat më të njohura globale, me mbi 1 miliard përdorues, sjell sfida serioze për sigurinë dhe privatësinë, veçanërisht për përdoruesit e rinj. Algoritmet e saj të avancuara mbledhin sasi të mëdha të dhënash personale, duke përfshirë informacione sensitive si vendndodhja, modelet e sjelljes dhe preferencat e përmbajtjes. Këto të dhëna grumbullohen edhe kur përdoruesit nuk postojnë apo ndajnë përmbajtje aktive, çka e bën procesin e mbledhjes së informacionit pothuajse të padukshëm”.

Kjo sipas tij, sjell tre rreziqe të mëdha.

“Së pari, shkelja e privatësisë – Politikat e TikTok për mbrojtjen e të dhënave janë shpesh të paqarta për përdoruesit, veçanërisht për të miturit, duke i lënë ata të pambrojtur ndaj mbledhjes së të dhënave pa dijeni ose miratim të plotë. Informacioni i mbledhur mund të përdoret për qëllime komerciale ose të transferohet te palë të treta, duke përfshirë qeveri ose kompani që mund të keqpërdorin të dhënat. Së dyti, mund të përmendim rreziqet që lidhen me sigurinë kibernetike – Sasia e madhe e të dhënave të ruajtura nga TikTok e bën platformën një objektiv tërheqës për hakerët dhe aktorët keqdashës. Në rastet e shkeljeve të sigurisë, përdoruesit rrezikojnë të ekspozohen ndaj vjedhjeve të identitetit dhe sulmeve të tjera kibernetike. Gjithashtu, nuk duhet anashkaluar fakti që bëhet fjalë për një platformë në pronësi të një kompanie kineze, gjë që ka ngjallur shqetësime globale mbi mundësinë e ndarjes së të dhënave me autoritetet kineze. Ligjet e Kinës për kërkesën e të dhënave nga kompanitë e saj shtojnë skepticizmin për përdorimin e të dhënave personale jashtë kufijve kombëtarë. Ky shqetësim është bërë më i mprehtë në kontekstin e tensioneve politike ndërkombëtare. Së treti, një rrezik tepër serioz lidhet me ekspozimin e të miturve ndaj rreziqeve të fshehura – TikTok ka një audiencë të madhe të të rinjve, të cilët shpesh nuk janë të ndërgjegjshëm ndaj shkeljeve të privatësisë. Përmbajtjet shpesh filtrohen nga algoritmet në mënyrë që të rrisin angazhimin e tyre, por kjo i ekspozon të miturit edhe ndaj kontakteve të padëshiruara, abuzimeve dhe përmbajtjeve të papërshtatshme, duke minuar privatësinë dhe sigurinë e tyre personale. Gjithashtu, studimet tregojnë se përdorimi i TikTok krijon varësi të rrezikshme tek të rinjtë, pasi funksionon si një skenë e “performancës së vetes”, ku përdoruesit, veçanërisht të rinjtë, përpiqen të rrisin apo menaxhojnë impaktin tek audienca e tyre kundrejt një përfitimi simbolik ose financiar. Problemi i privatësisë qëndron në faktin se kjo platformë nuk është një skenë intime, por një arenë publike ku të gjitha veprimet monitorohen, regjistrohen dhe përdoren për përfitime komerciale”, shprehet ai.

Sa i takon mirëqenies psikologjike të të rinjve, Shtembari thekson se, “përdorimi i TikTok mund të ndikojë në krijimin e një kulture vetjake digjitale, mund ta quajmë njëfarë habitus digjital, ku normat dhe pritshmëritë sociale formohen nga pëlqimet dhe komentet e të tjerëve. Kjo varësi ndaj vlerësimit digjital përmes metrikave të pëlqimeve të ndjekësve mund të krijojë ankth social, presion psikologjik dhe ulje të vetëvlerësimit, sidomos nëse të rinjtë nuk arrijnë të përmbushin standardet e imponuara nga përmbajtjet virale. Shumë të rinj e kanë të vështirë të përballen me presionin e krijuar nga performanca e tyre publike. Kështu tek disa mund të krijohet një tension konjitiv mes “identitetit të paraqitur” online dhe “identitetit të brendshëm” apo real. Adoleshentët që kalojnë më shumë se tre orë në ditë në rrjetet sociale kanë dyfishin e rrezikut për simptoma të ankthit dhe depresionit, dhe përdorimi mesatar ditor në këtë grupmoshë, nga vera e vitit 2023, ishte 4,8 orë. Për më tepër, pothuajse gjysma e adoleshentëve thonë se rrjetet sociale i bëjnë ata të ndihen keq ndaj trupit të tyre”.

“Për të rinjtë, kërkesa për të performuar dhe për të arritur miratimin e publikut apo shqetësimi për të pasur reputacion dixhital mund të krijojë stres dhe ankth, duke dobësuar mirëqenien e tyre psikologjike. Në SHBA dhe në BE, TikTok po përballet me padi, ndër të tjera, pikërisht për të mbrojtur shëndetin mendor të të rinjve. Interesant është që gjatë këtyre proceseve gjyqësore, disa dokumenta të TikTok tregojnë se kompania ishte në dijeni të efekteve negative të algoritmit të saj, sidomos te të rinjtë. Kompania akuzohet se nuk ka marrë masa për të mbrojtur përdoruesit, duke e dizajnuar aplikacionin në mënyrë që të nxisë përdorimin kompulsiv dhe të tepruar, një formë varësie. Një nga figurat kryesore të shëndetit publik në SHBA-së, Vivek Murthy, ka paralajmëruar për “efektet jashtëzakonisht të dëmshme” të rrjeteve sociale te shëndeti mendor i fëmijëve dhe adoleshentëve, duke theksuar nevojën për veprime urgjente nga kompanitë teknologjike. Raportet tregojnë një lidhje midis përdorimit të rrjeteve sociale dhe shfaqjes së simptomave depresive, duke vënë në dukje se krahasimi social mes përdoruesve në këto platforma dëmton vetëvlerësimin e të rinjve, sidomos të vajzave. Të gjithë të rinjtë, pa dallim gjinie, janë të ekspozuar ndaj përmbajtjeve të rrezikshme që promovojnë akte të dhunshme ose seksuale. Duhet që kompanitë teknologjike të vendosin kufizime për moshën minimale dhe të krijojnë parametra që mbrojnë më mirë privatësinë e fëmijëve”, deklaron sociologu Shtembari për ATSH.

Për mbrojtjen nga përmbajtjet e papërshtatshme, Shtembari shprehet se, “mbrojtja kërkon një ndërhyrje kolektive nga prindërit, edukatorët dhe vetë platformat për të vendosur kufij. Gjithashtu, strukturat shtetërore duhet të jenë të vëmendshme për të rregulluar me ligj “shënjestrat” e algoritmeve. Rregullimi dhe qasja kritike ndaj këtyre platformave duhet të jetë thelbësore për të krijuar një kundërstrukturë që mbron interesat ndaj fëmijëve në veçanti dhe të gjithë qytetarëve në përgjithësi.

Ai shprehet se, “Shqipëria është me vonesë në këtë pikë. Për të mbrojtur përdoruesit duhet të krijohen filtra më të fuqishëm dhe të vendosen rregulla më të qarta mbi moderimin e përmbajtjeve”.

Për mbledhjen e të dhënave dhe privatësinë, sociologu Shtembari nënvizon se, “të miturit janë më të rrezikuar, pasi ata shpesh nuk e kuptojnë shkallën e këtij monitorimi dhe se si këto të dhëna mund të përdoren për t’i manipuluar ose për t’u shitur tek palë të treta. Në TikTok, përdoruesit janë njëkohësisht “aktorë” dhe “objekte të mbikëqyrjes”. Të dhënat e tyre përdoren për të modeluar sjelljet dhe për të përcaktuar se cilat përmbajtje shfaqen. Për të miturit, kjo dinamikë mund të minojë ndjenjën e tyre të autonomisë dhe të privatësisë”.

Sa i përket sfidave virale dhe sigurisë fizike, Shtembari thekson për ATSH se, “përdorimi i TikTok mund të krijojë ndjenjën e përkatësisë dhe angazhimit, por gjithashtu i shtyn përdoruesit të marrin pjesë në aktivitete të rrezikshme ose vetëshkatërruese, duke përforcuar normat që janë të dëmshme për shëndetin fizik dhe mendor”.

“Ka shumë raste ku përdoruesit kërkojnë vlerësim përmes rrezikut, sjelljeve të papërgjegjshme apo gjuhës së dhunës. Rastet e njohura të dëmtimeve fizike apo vdekjeve nga sfidat virale tregojnë se si këto praktika digjitale mund të kenë pasoja të rënda në botën reale. Për të ekzistuar socialisht apo për të zgjeruar audiencën e tyre, përdorues të ndryshëm nuk ngurrojnë të radikalizojnë diskurset e tyre në përmbajtjet që propozojnë. Në universin e marketingut ekziston një nocion që quhet «media taktike» që mund ta përkufizojmë si një tendencë për të përdorur të gjitha mjetet e mundshme për t’u dëgjuar, thënë ndryshe, për të fituar audiencë shpejt dhe pa kosto”, nënvizon ai.

Shtembari: Rregullime të forta për transparencën e algoritmeve dhe mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve

Sociologu pranë Université de Poitiers në Francë, flet edhe për aspektet teknike të një mbylljeje të mundshme të TikTok në Shqipëri.

Sa i përket metodave për të mbyllur qasjen në këtë rrjet social, ai shpjegon se, “në disa shtete po reflektohet mbi kushte të caktuar të aksesit në platformë prej përdoruesve të mitur. Për shembull, në Australi është propozuar që përdorimi t’i ndalohet fëmijëve nën 16 vjeç dhe hyrja në platformë të kryhet vetëm pas një testi të moshës. Sigurisht kjo masë ka limite të caktuara”.

“Mbi ndalimin e TikTok në disa shtete, mund të theksojmë disa nga masat që janë marrë për të kufizuar ose ndaluar përdorimin e kësaj platforme, kryesisht për arsye të sigurisë kombëtare, morale dhe ndikimit të mundshëm që mund të ketë në shëndetin mendor të përdoruesve”, shprehet ai.

“Në Bashkimin Evropian, TikTok është pjesë e platformave të mëdha online që duhet të përmbushin kërkesa të rrepta në kuadër të Rregullores për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act – DSA). Ky rregullim europian u miratua më 19 tetor 2022 dhe ka hyrë në fuqi më 25 gusht 2023 për kategorinë e platformave si TikTok. Sipas këtij rregullimi, TikTok duhet të përmbushë një sërë detyrimesh, duke përfshirë moderimin e përmbajtjes, auditimet e algoritmeve, transparencën e procedurave dhe parandalimin e rreziqeve të njohura si “rreziqe sistemike””, thotë Shtembari për ATSH.

Po ashtu, vijon Shtembari, “në gushtin e shkuar BE arriti një fitore kundër TikTok i cili u angazhua të tërheqë përfundimisht nga Bashkimi Evropian funksionin e aplikacionit të tij të ri TikTok Lite, i cili propozonte të shpërblente përdoruesit për kohën e kaluar para ekranit. Ky shërbim u kontestua nga Franca dhe Spanja në fund të marsit, dhe më pas u pezullua nga BE disa javë më vonë, pas hapjes së një hetimi nga Brukseli. Komisioni Evropian kishte vlerësuar se mekanizmi i propozuar nga TikTok paraqiste “rreziqe të rënda për shëndetin mendor të përdoruesve””.

Shtembari përmend edhe shembuj të tjerë si SHBA, Australia, Kanadaja apo India.

“Të tjerë shembuj për t’u përmendur janë India që ishte një nga vendet e para që ndaloi TikTok në qershor të vitit 2020, pas përplasjes mes ushtrive kineze dhe indiane në Ladakh. Ky ndalim ishte kryesisht për arsye diplomatike dhe të sigurisë kombëtare. Po kështu, edhe disa shtete kanë marrë masa të kufizuara për të parandaluar përdorimin e TikTok për arsye të sigurisë, dhe kanë vendosur të kufizojnë përdorimin e TikTok për punonjësit e administratës. Franca dhe Belgjika, për shembull, ka ndaluar përdorimin e TikTok në telefonat e shtetit për punonjësit e administratës publike, duke e konsideruar atë një kërcënim për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave”, thotë ai.

“Për të adresuar rreziqet e TikTok, është e rëndësishme të punohet edhe duke promovuar edukimin, artin dhe praktikat e shëndetshme që mund të zëvendësojnë kulturën e toksicitetit digjital. Për fat të keq, këto masa disave mund t’u duken si moralizma, ndërkohë që ato mund të të sensibilizojnë publikun mbi rreziqet e platformave online”, thekson më tej Shtembari.

Sa i takon edukimit të prindërve dhe të rinjve, sociologu Shtembari shprehet se, ndërgjegjësimi është kyç.

“Prindërit duhet të informohen për rreziqet e TikTok dhe mënyrat për të monitoruar aktivitetet e fëmijëve të tyre. Të rinjtë duhet të mësojnë të përdorin mediet sociale në mënyrë kritike dhe të kuptojnë pasojat e mundshme të sjelljes së tyre online. Duhet pra një qasje pedagogjike ndaj këtij fenomeni”, shpjegon ai.

“Prindërit dhe mësuesit duhet të përfshihen në krijimin e një habitusi të ri digjital, ku të rinjtë mësojnë të veprojnë në mënyrë kritike në hapësirat online. Ata duhet të pajisen me mjetet për të sfiduar strukturat toksike dhe për të ndërtuar praktika të qëndrueshme. Si prindërit dhe mësuesit duhet të jenë më të angazhuar mbi këtë çështje”, thotë ai më tej.

Sa i takon rregullimit të algoritmeve, Shtembari shprehet se, “rregullimi i algoritmeve për të shmangur promovimin e përmbajtjeve të dëmshme dhe për të mbrojtur përdoruesit më të rinj mund të zvogëlojë rreziqet”.

“Kjo kërkon bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe platformës TikTok për të krijuar një mjedis digjital më të sigurt. Rregullimi i algoritmeve është thelbësor për të kufizuar promovimin e përmbajtjeve të dëmshme dhe për të favorizuar krijimet edukative dhe pozitive. Një ndërhyrje e tillë duhet të bëhet duke bashkëpunuar me aktorët globalë dhe të lokalizuar për nevojat kulturore”, përfundon Sociologu pranë Université de Poitiers në Francë, Arbër Shtembari për ATSH-në.

 

SHKARKO APP