Soko: Inceratorit të Fierit i paguajmë 6 milionë euro paradhënie, çka bie ndesh me idenë e PPP-ve
I ftuar në Ora News, ekonomisti Pano Soko u shpreh se koncesioni për inceratorin e Fierit është një rast ku paratë nuk po paguhen në kohë, por si paradhënie.
Sipas Sokos, kjo bie ndesh me idenë e PPP-ve dhe logjikës financiare.
Soko shtoi se me këtë koncesion ka pasur edhe manipulim me vlerën dhe procedurën e përzgjedhjes së kompanisë.
Pano Soko: Koncesioni i inceratori i Fierit ka filluar në tetor të vitit 2016 dhe ka filluar aktivitetin në janar 2018. Pra për 1 vit e disa muaj nuk ka kryer asnjë aktivitet. Por qysh nga tetori i 2016-tës, ne i paguajmë koncesionarit 65 milionë lek të reja, pra 6 milionë euro paradhënie.
Në vetvete PPP-ja përdoret për shkak të faktit se nuk ka para dhe ia delegon një privati dhe këto para ia paguan në kohë. Në këtë rast jo vetëm nuk ekemi paguar në kohë, të shtrirë me këste, por e kemi paguar paradhënie. Kjo bie ndesh totalisht me idenë e PPP-ve apo logjikën financiare.
Problemi i dytë është vlera. Këtu kemi pasur një manipulim në procedurën e përzgjedhjes së kompanisë, se duket se ka qenë një garë e paracaktuar. Kompania e dytë më e vogël që përmbushte kriteret teknike, pasi është fituar koncesioni me vlerë 28 milionë euro, ka shitur 20% aksioneve për 20 mijë lekë të reja. Kompania që u mor për nënkontraktimin, për ta ndërtuar inceretarin me çelësa në dorë, do t’ia bënte kësaj kompanie që fitoi koncesionin për 15 milionë euro. Pra inceneratori po ndërtohet nga dikush tjetër për 15 milionë euro. Këtu ka një gropë që po mbushet me gati gjysmën e shumës.