Sokolaj: Vrasja e Aleks Nikës e pazbardhur! Predha e dëmtuar, e pamundur për të identifikuar armën që qëlloi
Gazetari Trashgim Sokolaj për RTV Ora ka thënë se vrasja e Aleks Nikës është ende e pazbardhur, ndërkohë që hetimet për një prej gardistëve janë të bazuara vetëm nga vendosja e efektivëve mbi Kryeministri më 21 janar.
Sipas Sokolajt, predha e hequr nga plaga e Aleks Nikës ka qenë shumë e dëmtuar dhe nuk është bërë i mundur identifikimi i armës prej nga është qëlluar.
Sokolaj: Kërkesa e Prokurorisë nuk ka një objekt të qartë. Kërkohet që të hetohet ngjarja në tërësi, të rijetohet dhe të gjejnë elementë të ri për të gjithë të akuzuarit, të bëhet një hetim për të gjithë ngjarjes, apo kërkohet që të bëhet përcaktimi i të gjithë përgjegjësisë për vrasjen e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës.
Janë dy episode që në këtë ngjarje kanë mbetur pa autor. Aleks Nika është plagosur më 21 janar, një ditë më pas është dërguar për në Turqi. Predha që ka goditur të ndjerin është hedhur nga mjekët e spitalit turk, është hequr nga koka dhe është dërguar me postë diplomatike në Virxhinja të SHBA, ku është ekspertuar. Nga ekspertimi dhe nga tabelat e publikuara, është konstatuar që kjo predhë ka dëmtime në atë masë, saqë është e pamundur që të përcaktohet se nga cila armë është qëlluar.
Dua të them një fakt që nuk është thënë. Për vrasjen e Aleks Nikës, gjatë gjithë kohës që çështja ka qenë në hetim, ka pasur një person të dyshuar, një efektiv të gardës. Ky i dyshuar është përcaktuar vetëm në bazë të planit të vendosjes së efektivëve të gardës në pjesën e sipërme të Kryeministrisë dhe vendit ku ndodhej Aleks Nika përpara Gjykatës Kushtetuese në momentin që është goditur. Por gjithmonë ka qenë e dyshuar kjo gjë, prandaj Prokuroria nuk ka ngritur një akuzë ndaj këtij personi.