Sonte protesta e opozitës. Liderët: “Do jetë paqësore”. Por populli nuk mbahet nga revolta
Edi Rama zgjodhi dje një mënyrë të rrezikshme për të larguar vëmendjen nga përgjimet shkatërruese që publikoi gazeta gjermane “Bild” për vetë Kryeministrin dhe qeverinë e tij. Në mënyrë djallëzore, Rama vendosi të zhvillonte takimin elektoral për zgjedhjet e 30 qershorit në Shkodër, në ditët më të tensionuara në këtë qytet, me shpresën e ndonjë konflikti që do të pushtonte Shqipërinë, madje dhe më tej. Tri ditë më parë, qytetarë dhe drejtues të opozitës në Shkodër kërkuan largimin e materialeve zgjedhore nga qyteti, pasi në bazë të dekretit të Presidentit të Republikës, në 30 qershor nuk ka zgjedhje. Policia u përgjigj me dhunë ndaj protestës duke arrestuar dhjetëra qytetarë dhe drejtues lokalë të PD. Në shkelje të plotë ligjore dhe me një skenar që do ta kishin zili dhe drejtuesit e sigurimit të shtetit të para viteve ’90, ish-deputeti i Shkodrës, mjeku i njohur Bardh Spahia u arrestua si kriminel teksa shkonte në një studio televizive. Në qytetin që historikisht ka votuar djathtas, kryeministri i PS shkoi dje, pak orë pasi kish arrestuar deputetin që kanë votuar dhe në qelitë e burgut ndodheshin drejtues të tjerë lokalë të PD. Një vizitë e tillë, bashkë me talljen e një kryeministri që i thotë opozitës se mund të bëj çfarë të dojë me ata, ka dhe dashakeqësinë e krijimi të konflikteve dhe tensioneve në vend.
Dje Shkodra ishte në shtetrrethim, të cilin vetë shkodranët e krahasonin me prillin e 1991 kur regjimi komunist i vriste dhe i shtypte. Më shumë se 2 mijë forca policore u vendosën në qytet për të siguruar mitingun e panevojshëm të Edi Ramës.
Në sheshin ku u prit kryeministri, qytetarët e Shkodrës thonë se kishte më shumë gardiste dhe policë civilë sesa socialistë dhe qytetarë normal. Por edhe me shumë se sa ishin demokratë, realisht. Edhe fëmijët që u afruan në miting, kontrolloheshim imtësisht si të ishin terroristë dhe jo qytetarë normal të vendit. Për të reaguar ndaj gjithë kësaj tallje dhe dhune, shkodranët refuzuan dje Edi Ramën, por edhe protestuan fort. Nga frika se situata do të përshkallëzohej, policia dhunoi që në nisje të protestës së qytetarët. Pa asnjë motiv dhe pa asnjë shenjë dhune nga protestuesit, policia hodhi gaz lotsjellës duke tentuar shpërndarjen e tyre. Pamjet e transmetuara live nga Shkodra tregonin sesi goditeshin gara dhe vajza. Në një akt të pashembullt, policia ndaloi dhe një ambulancë me të sëmurë që të kalonte në mes të sheshit ku ishin vendosur forcat e rendit. Për më shumë se një orë, policia ndaloi protestuesit në pika të ndryshme të qytetit që të bashkoheshin duke përdorur gaz lotsjellës dhe dhunë. Sipas të dhënave nga PD e Shkodrës, dhjetëra qytetarë janë plagosur dhe lënduar nga përplasja. Ndërkohë gjatë natës, forcat e rendit nisën arrestimet e protestuesve me akuzën se goditën policinë edhe pse ishte e qartë se policia goditi protestuesit. Shkodra e djeshme i ngjante një qyteti në luftë ku gjithë Garda e Republikës dhe policia e shtetit ishte kundër qytetarëve. Dhuna dhe provokimet e forcave të rendit tentonin të krijonin një përplasje të fortë në Shkodër, jo vetëm mes mbështetësve të opozitës dhe policisë, por edhe përkrahësve të PS. Ishte një skenar i rrezikshëm që synonte të mbjellë konfliktin vëllavrasës në Shkodër, por qytetarët treguan se nuk e kanë problemin me socialistët, por me Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Situata në Shkodër mund të ishte një katastrofë nëse qytetarë do të ishin përgjigjur me dhunë. Kryeministri llogarit me përpikmëri se në situatën ku e ka çuar vendin çfarëdo krimi, dhune dhe destabiliteti që të ndodhë në vend, faturën e mban opozita. Në skandalin e përgjimeve ku ai dilte si “Babloku i madh” që komunikon me njerëz të krimit dhe ministrat e tij si sekserët që blejnë vota, dhuna është mënyra më e mirë për të kaluar situatën. Ndërsa sot është protesta kombëtare e opozitës, e cila vjen në tensionet më të mëdha që ka njohur vendi dhe duket se në qeveri po luten që opozita të sulmojë institucionet për ta etikuar më pas si talebane dhe terroriste. I kanë gati fjalimet dhe justifikimet, presin vetëm që opozita të bjerë në kurthin e tyre dhe më pas gjithë të dalin si qeveritarët model që po ruajnë institucionet. Dje drejtuesit e opozitës deklaruan në mënyrë të qartë se qëllimi i protestës nuk është dhunë dhe as shkatërrimi i institucioneve. Kreu i PD-së, Lulzim Basha në një intervistë në emisionin “Opinion”, deklaroi se në protestë do të ishte me familjen e tij dhe opozita nuk ka asnjë skenar dhune. Po ashtu dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se opozita ka mision të shpëtojë vendin nga keqqeverisja dhe jo t’a shkatërrojë atë. Opozita deklaroi dje se qëllimi i saj është që të mos ketë dhunë, por qytetarët janë të revoltuar.
Liderët deklaruan qartë se nuk do lejojnë dhunë, por populli kur del nga binarët e zemërimit nuk ka Bashë dhe Monikë që e mban.
Qamil Xhani
ReplyForward |