Sonte Sondazhi i Parë IPR marketing – RTV Ora: Si do të votonin sot shqiptarët?
IPR Marketing, një nga shoqëritë lider në Itali, e specializuar ne kërkimet, studimet dhe analizat e opinionit publik dhe tregut prej më shumë se 26 vjetësh, me përvojë të suksesshme ndërkombëtare rikthehet në Shqipëri me sondazhin e parë për këtë vit mbi situatën në vend në bashkëpunim me RTV ORA.
Në kulmin e një situate të paprecedent në politikën shqiptare, me dorëzimin e mandateve në Kuvend nga opozita, por që tubohet prej javësh jashtë tij në protesta, me qëndrimin e palëkundur të maxhorancës për të vijuar me zgjedhjet lokale te dekretuara për në 30 qershor, RTV Ora, me president Ylli Ndroqin, në bashkëpunim me IPR Marketing, nën administrimin e Antonio Notos, vijojnë traditën e konsoliduar 12 vjeçare të prezantimit të sondazheve, që masin opinionin publik para e përgjatë fushatave zgjedhore. Për të kulmuar me zgjedhjet dhe EXIT Poll-et.
Përvoja e akumuluar në vite me rezultate të sakta, falë punës profesionale të një prej kompanive më prestigjioze në fushën e matjes të opinionit publik dhe korrektesës e profesionalizmit të RTV Ora, ka krijuar një klimë të fortë besimi ndaj sondazheve që synojnë të informojnë shqiptarët, larg çdo ndikimi partiak a politik, në shërbim vetëm të interesit publik.

Antonio Noto, administrator i shoqërisë me seli në Romë, Napoli e Pozzuoli, do të jetë prezent në prezantimin e rezultateve të para të një serie sondazhesh përgjatë javëve në vijim, të vetmet të besueshme, profesionale e të sakta që kanë shoqëruar zgjedhjet e shqiptarëve në dekadën e fundit, prirjen e tyre te votës drejt forcave politike, apo udhëheqësve të veçantë, duke krijuar traditën më të mirë përballë skepticizmit mbi vërtetësinë e rezultateve. Për të vërtetuar suksesin e kësaj tradite dëshmojnë sondazhet e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, 2013 dhe 2017, si dhe ato lokale të vitit 2015 së bashku me exit-pollet përkatëse.
Sonte në orën 22.30 në studion e programit Tempora të Sonila Meços dhe nën komentin e Administratorit të IPR Marketing. Antonio Noto, analistëve dhe opinionistëve të njohur Artur Zheji dhe Dritan Hila, shqiptarët do të njihen me rezultatet e sondazhit të parë për këtë vit, në nivel kombëtar mbi çështjet kryesore të aktualitetit. Çfarë mendojnë shqiptarët mbi situatën aktuale politike, sociale dhe ekonomike?
-Në ç’drejtim po shkon Shqipëria?
-Cilat janë problemet më emergjente me të cilat ballafaqohen shqiptarët?
-Si konsiderohet puna e liderëve kryesorë në vend? Cili punon më shumë në interes të shqiptarëve?
-Nëse zgjedhjet, të përgjithshme, apo lokale do të zhvilloheshin nesër cila forcë politike do t’i fitonte ato?
-A janë gati shqiptarët të shkojnë në zgjedhje të parakohshme?
-A duhet të mbahen zgjedhjet lokale në 30 qershor pa opozitën?
Radio Televizioni Ora dhe IPR Marketing Live, mbrëmjen e kësaj të mërkure në orën 22.30 do t’ju tregojnë Shqipërinë sipas shqiptarëve, për t’i shërbyer me objektivitet, paanshmëri dhe profesionalizëm vetëm interesit publik.
KOHA JONË SONDAZH

