Soreca: Kur korrupsioni prek administratën, viktima janë qytetarët
Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca ka qenë i pranishëm mesditën e kësaj të hëne në aktivitetin e përurimit të sistemit elektronik të deklarimit të pasurive.
Në fjalën e tij përpara gazetarëve, Soreca ka vlerësuar luftën kundër korrupsionit të bërë në Shqipëri, sipas së cilit është një faktor kyç për zhvillimin ekonomik. Ai ka vënë theksin se është shumë i rëndësishëm sistemi elektronik i deklarimit të pasurisë, pasi është një tregues se Shqipëria e ka marrë seriozisht luftën kundër korrupsionit.
“Sot ditë e mirë për Shqipërinë. Dita kur Shqipëria tregon se luftën kundër korrupsionit, e ka seriozisht. Kjo është e rëndësishme edhe për zhvillimin e vendit. Kur korrupsioni prek administratën, viktima janë qytetarët. Kështu ulet reputacioni i vendit dhe do të ketë më pak investime. Jemi këtu që të mbështesim Shqipërinë në luftën kundër Korrupsionit. Komisioni Europian është drejt përfundimit të raportit 2018 ku do të pasqyrohet lufta ndaj korrupsionit. Media dhe shoqëria civile duhet të ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit”, u shpreh Soreca.
Ky projekt është një bashkëpunim mes Bashkimit Europian, Këshillit Europian dhe ILDKPI. Qëllimi i tij është ulja e korrupsionit në sektorin publik, mbështetja e organizatave civile dhe mbështetja e medias për të bërë publike rastet e korrupsionit.
Nderkaq, Bashkimi Europian ka apeluar sërish për dialog në funksion të zgjidhjes së krizës politike. Përmes ambasadorit Luigi Soreca, BE i ka bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të bëjnë kompromis.
Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, tha se në takimet që Genoveva Ruiz Calavera pati me kryeministrin Edi Rama, i kërkoi që qeveria të miratojë reformën zgjedhore, e veçanërisht, rritjen e ndëshkimit për shit-blerjen e votave.
Në një prononcim për mediat, Soreca tha se qeveria duhet të dialogojë me opozitën për ta arritur këtë, por megjithatë, mazhoranca është në kushtet që ta miratojë e vetme reformën zgjedhore, pasi disa nga rekomandimet kyçe të OSBE-ODIHR (që korrespondojnë edhe me kërkesat e opozitës), nuk kërkojnë ndryshime legjislative.
Soreca beson se ka një urë mbi të cilën mund të lindë dialogu dhe kompromisi mes mazhorancës dhe opozitës.
“Kur takuam qeverinë e ftuam atë të bisedonte me opozitën në lidhje me reformën zgjedhore. E ftuam qeverinë të krijojë këtë dialog dhe të merren masa në ato fusha që janë në atë kompetencë të tyre, për të parë që nuk kishte nevojë për ndryshime legjislative.
Kjo do të thotë që reforma zgjedhore mund të kryhet edhe pa ndryshimet legjislative me anën e disa hapave nga ana e qeveris,ë e kemi ftuar qeverinë të ndërmarrë këto hapa në atë fushë që ka të bëjë me shit-blerjen e votave.
Ka disa gjëra që mund të bëhen nga qeveria dhe këto janë gjërat që opozita ka kërkuar. Kjo iniciativë ka të bëjë me rekomandimet e OSBE-ODIHR, që disa mund të kërkojnë ndryshime legjislative, por disa të tjera mund të bëhen nga qeveria
Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për dialog në çdo takim”, tha Soreca.
“Tani ka ardhur koha për kompromis, qeveria dhe opozita të takohen në mesin e urës. Unë besoj që ura ekziston thjesht duhet të gjendet”, u shpreh Ambasadori i BE-së Luigi Soreca.
KOHA JONË SONDAZH

