Sot 8 Marsi, Shqipëria me një numër të lartë të grave të dhunuara dhe të varfëra

Tetë marsi tashmë është një festë zyrtare, mirëpo kjo datë ka lindur si një formë proteste e grave për të drejtat e tyre në SHBA. Kjo ditw sjell në vëmendje diskriminimin e grave dhe luftën e tyre për barazi gjinore.

Sot të gjitha gratë festojnë dhe mezi presin dhuratat nga fëmijët dhe bashkëshorët, por ka dhe nga ato të cilat vazhdojnë të vuajnë dhe të nënshtrohen para burrave të tyre.

Për të diskutuar për këtë ditë të rëndësishme mëngjesin e sotëm në studion  e emisionit “Ditë e Re” ishin të ftuara,  ish-deputetja Orjola Pampuri, sociologia Belioza Coku dhe Klarisa Rexhvelaj, aktiviste e të drejtave të grave.

Krahas festës dhe urimeve Pampuri solli në vëmendje një fenomen mjaft të trishtë, ai i dhunës ndaj grave. Ajo rrëfen se fatkeqësisht këto shifra janë të larta në Shqipëri dhe gratë përveç dhunës së ushtruar nga bashkëshortët e tyre vuajnë dhe pasojat që vijnë  pas zhvendosjes në strehë tjetër, varfërinë.

Duke mos patur ndihmë nga shteti ato detyrohen të luftojnë të vetme për mbijetesë.

“8 Mars gjithmonë kam qenë e angazhuar ditën e 8 marsit gjithmonë e kalonim me aktivitete ndërgjegjësuese kryesisht për dhunën ndaj gruas. Është një fenomen që vijon ende, është një fenomen me të cilin ne përballemi ende. Sigurisht jo vetëm në Shqipëri është në shifra të larta, është në të gjithë botën, por kryesisht në Shqipëri .

Ne kemi një numër të lartë të grave të dhunuara, kemi një numër të lartë të grave të cilat sot jetojnë në varfëri. Jetojnë në varfëri sepse janë zhvendosur nga streha ku jetonin me partnerin dhunues dhe kanë pamundësi për të mbijetuar për shkak të një ndihme, mbështetje sociale qesharake  që marrin nga shteti.

Kemi gra të cilat nëse zhvendosen nga streha ku jetonin me bashkëshortin dhunues nuk kanë një siguri, një profesion, nuk kanë mundësi të mbajnë familjen e re në të cilën ato janë kryefamiljare tani.  Kemi hasur plot gra të cilat jetojnë në zonat rurale të cilat tentojnë të referojnë dhunën që ushtrohet nga partnerët e tyre por diku ngec jo gjithmonë marrën zgjidhje” – thotë ajo.

Krahas gjithë diskutimit, sociolgia dhe aktivistja e të drejtave të njeriut, Belioza Coku shton se në Shqipëri ka “gjyqtarë të cilët i nënshtrohen dhunuesit dhe marrin vendime në favor të tyre” pasi mendojnë se dhe ai është një viktimë e kësaj situate.

SHKARKO APP