Sot dita botërore e Autizmit, por Shqipëria ende nuk ka statistika
Këtë ditë Bukuria ka zgjedhur të vijë në një takim me shumë gra të tjera, për të ndarë të njejtin problem me to.
Është ndoshta në rastet e rralla që ajo nuk ndodhet pranë djalit të saj për të cilin kujdeset çdo ditë. Që prej dy vjeç e gjysmë ai është diagnostikuar me spektrin autik dhe çdo ditë duhet të ndjekë një terapi të rreptë.
“Kur e çova në spital më thanë se është me autizëm. Qëndronte i mënjanuar.”
Sot, djali i Bukuries është 14 vjeç, por për nënën nga Dibra, vështirësitë janë shumë të mëdha.
“Do shumë sakrificë. Unë jam e vetme pasi bashkëshorti më ka vdekur.’
Pamundësia ekonomike e prindërve me fëmijë të spektrit autik është ndoshta një nga problematikat thelbësore që i pengon ata të kenë edhe një zhvillim arsimor.
Për Eglantina Bajrami nga klubi kombëtar i prindërve me CSA, mungesa e harmonizimit të punës së institucioneve është një nga mangësitë për të cilën sot fëmijët e spektrit autik diskriminohen.
“Diskrimini është nga të gjitha krahët, por aty ku hasim ne problematika janë institucionet, ministria e Arsimit, Bashkia dhe ministria e Shëndetësisë.”
ISHP njofton se në Shqipëri nuk ka të dhëna të sakta në lidhje me numrin e fëmijëve të spektrit autik. Megjithatë Ministria e Shëndetësisë thotë se janë rreth 942 fëmijë që trajtohen në qendrat rezidenciale në Tiranë. Në botë shifrat flasin për rritje. Nga 1 në 100 fëmijë që ka qenë më parë, sot çrregullimet e spektrit autik prekin 1 në 60 fëmijë.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Autizmin, ilir meta ka hapur dyert e presidencës ku u përurua ekspozita me 20 piktura të autorit 21-vjeçar, studentit me aftësi ndryshe, Drini Sallaku.
KOHA JONË SONDAZH

