Sot Dita e Gjuhës Amtare, Manastirliu shpall datën e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare shpalli datën e fillimit të Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të IX-ta, i cili nis më 12 mars në të gjitha shkollat e vendit.

Bashkë me nxënës të shkollës “Mësonjëtorja e parë” në Muzeun e Arsimit në Korçë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu tha se, mes shumë aktiviteteve në Vitin e Gjuhës Shqipe, është edhe Konkursi Kombëtar që do të nisë në muajin mars.

“Bashkë me nxënës të shkollës “Mësonjëtorja e Parë” në Korçë, në këtë Muze ku ngado të shohësh gjen një dëshmi që evokon përpjekjet e bëra ndër breza për mësimin e gjuhës tonë shqipe. Mes shumë aktiviteteve në këtë Vit të Gjuhës Shqipe, sot kam kënaqësinë të prezantojmë se prej datës 12 Mars fillon: Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të nënta.
Ky konkurs, si një prej aktiviteteve më të mëdha të vitit shkollor, ka një rëndësi të veçantë për nxënësit, mësuesit dhe prindërit, pasi ai jo vetëm përcjell bukurinë dhe pasurinë e gjuhës tonë shqipe, por shërben dhe si një platformë për të mbajtur gjallë e lartësuar flakën e dashurisë dhe vlerësimit për gjuhën amtare, si thelbi i identitetit tonë kombëtar.”, tha Ministrja Manastirliu.

Ky konkurs, sipas Ministres, Manastirliu, synon të nxisë ndjenjën e krenarisë dhe përkatësisë tek fëmijët që nga moshën e vogël, duke i motivuar për të zbuluar thellësitë e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Me pjesëmarrjen e mbi 8 mijë nxënësve nga të gjitha shkollat 9-vjeçare, konkursi do të zhvillohet në nivele lokale dhe kombëtare, ku 16 ekipet më të mira do të përballen në gjysmëfinalet, të cilat do të transmetohen drejtpërdrejt në ekranin e Radio Televizionit Publik Shqiptar.

Finalja e madhe do të shpallet në një festë të dijes, si një vëmendje ndaj gjuhës shqipe si pasuria më e madhe që kemi trashëguar brez pas brezi dhe po ua trashëgojmë edhe fëmijëve shqiptare në diasporë.

Edhe ata e festuan me krenari Ditën Amtare të Gjuhës, duke organizuar aktivitete të ndryshme në shkollat e diasporës. Aktivitete si konkurse recitimi, prezantime kulturore, dhe performanca artistike u organizuan me qëllim për të përhapur dashurinë dhe respektin për gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Përtej kufijve, këta fëmijë tregojnë dashurinë që kanë për gjuhën shqipe si një shenjë e qartë e përkushtimit të prindërve të tyre për të ruajtur dhe përhapur dhe trashëguar, vlerat dhe traditat e vendit të origjinës.

SHKARKO APP