Sot është një ditë historike për gratë shqiptare

Nga Brizida Gjikondi

Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar dhe mbas një kalvari shumë shekullor, diskrimunes dhe bllokues për emancipimin e gruas shqiptare, sot kemi një ekzekutiv ku nga 17 ministra, 12 prej tyre janë gra. Ky fakt por edhe gratë e zgjedhura në organet drejtuese të PD-së janë një lajm optimist për çdo grua shqiptare.

Po vjen epoka e emancipimit dhe barazisë reale të gruas shqiptare. Sepse gratë shqiptare si dhe gratë e botës ju është dashur të luftojnë dyfish, sic thoshte Rita Levi Montalcini, ju është dashur përherë të mbanin dy pesha, atë të jetës private por dhe atë shoqërore, gratë janë shtylla kurrizore e shoqërisë.

Gruaja shqiptare ka qënë e bllokuar prej shekujsh për të patur akses në botën e arsimit, kulturës, shkencës dhe ekzekutivit sidomos. Vetëm në mesin e shekullit të XX gruaja shqiptare filloi të hedh hapat e parë të ekzistencës së saj si qënie politike, qoftë edhe pse me një politizim, maskilizim dhe ndrydhje të skajshme, ajo filloi të çapitet në rrugën e gjatë të emancipimit ndërkohë që simotrat e saj evropiane kishin arritur majat.

Gjithësesi qeveria Rama 3, është një lajm i mirë, por sidomos për emrat që ka ofruar. Përherë kam vlerësuar punën e dukshme të ministreve Balluku, Manastirliu, Margariti por kënaqem kur shikoj në këtë qeveri edhe emra jo politikë por mirëfilltazi profesionist dhe të përkushtuar si Krifca dhe Ibrahimi.

Sot është një ditë e madhe, personalisht ndjehem e ngazëllyer, 12 gra, nëna dhe vajza shqiptare sot janë në krye të vendit dhe nga kjo arritje emancipuese vetëm të mira do kemi pasi jo më kot Gandi shprehej se “Me guximin dhe vetë-mohimin gruaja është gjithmonë më superiore se burri … ”

Shqipëria ka shumë nevojë, për paqe sociale, përulësi, vetëmohim, vizion dhe dashuri pa hesap e kush më mirë se gratë dinë ti ofrojnë këto.

SHKARKO APP