Sot, Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS
Sot është Kongresi i Jashtëzakonshëm i PS. Elisa Spiropali mbajti fjalën e hapjes në Kongres. Ministrja foli me patos dhe tekst të shkruar bukur.
Në fjalën e saj, Spiropali solli në vëmendje shprehjen e Ramës, por edhe socialistëve të tjerë se “Suksesi është kolektiv, përgjegjësitë individuale”.
“Suksesi është kolektiv, përgjegjësitë individuale. Disa sillen si piromanë në Kuvend, disa e djegin. Sa herë ka ballafaqime elektorale, ata do të humbin, ne do të fitojmë. Ne nuk na ndan prej tyre barrikada, nuk na ndikon mos të shohim flakadanët që ndezin në Parlament. Ne jemi institucion lirie, ata i marrjes peng të institucioneve. Ata po i tmerron frika e orës së të vërtetës. Filozofia e tyre shkon në krah të kundërt me vullnetin e shqiptarëve, ndërkohë ata e kurdisin sahatin e tyre me akrepat e 97-ës. Asnjë lider tjetër sa Edi Rama dhe PS, nuk është treguar aq i aftë dhe kaq këmbëngulëse në praktikat e korrigjimit. Kundërshtarët tanë dinë vetëm të humbasin”, tha Spiropali.
Me pas e mori fjalën Blendi Klosi, sekretar i Përgjithshëm i PS.
“Në koalicion apo jo, të gjithë ata janë shkërmoqur. Ata duken shumë të dobët, se ne me Edi Ramën jemi shumë të fortë. Ne do të pasqyrojmë se si ia kemi dalë për të mbajtur fjalën e dhënë. Do të flasim për ekonominë, drejtësinë, sigurinë, politikat europiane, dhe për PS, se si duhet ta rienergjizojmë dhe më shumë”, tha Klosi.
Në vijim e ka folur kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, i cili tha se është i domosdoshëm modernizimi i shtetit si parakusht për luftën kundër korrupsionit.
“Reforma në Drejtësi si një kusht themelor për të luftuar korrupsionin në sektorin publik. Por është edhe një kusht themelor për të gjitha shërbimet publike që ofrohen. E kemi thënë që nga fillimi, parakusht për të luftuar korrupsionin është modernizimi i shtetit. Dhe askush më shumë se PS nuk e ka bërë diçka të tillë në vend. Sot kemi 1237 shërbime publike tërësisht të digjitalizuara që do të thotë se janë 95% e shërbimeve që ofron qeverisja qëndrore që jepen në rrugë digjitale. Kjo do të thotë se janë këputur marrëdhëniet fizike të 1237 zyrave me publikun, duke bërë të mundur që mundësia për korrupsion në këto raste të jetë zero”,- tha Çuçi.
Në tej ka folur ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili kujtoi 21 janarin 2011, ndersa tha se ajo ditë do të mbetet plagë dhimbjeje.
“Për çdo njëri të lirë drejtësia për 21 janarin është provë themeli për të mbrojtur vlerat e civilizimit dhe demokracisë. Për ne socialistët, 21 janari është plagë dhimbje, por në këtë kongres ndihemi pak të lehtësuar pasi vendimi i Gjykatës së Strasburgut më në fund i ka hapur rrugë drejtësisë. Vendimi i gjykatës evropiane dëshmon më shumë se kurrë se drejtësia asnjëherë nuk e lë në harresë të drejtën. Jo më kot paneli nis me drejtësinë, pasi te drejtësia e ka zanafillën krijimi i shtetit. Votën e 2013-ës, e faktuam përmes një përpjekje të madhe, për t’i dhënë vendit drejtësinë, që nuk e ka pasur që nga 1912,”- tha ndër të tjera Manja.
Ndërsa deputeti socialist, Erion Braçe, foli gjatë në Kongresin e Partisë Socialiste për tragjedinë e 21 janar të vitit 2011.
“Nuk e kam kuptuar kurrë pse më 21 janar në ditët që pasuan, edhe dje, më thuhej përmbahu. Pse duhet të përmbahem? Forca vdekjeprurëse me dashje është monopol i shtetit por ama në kushte të ligjit, por në shkelje të ligjit me dashje është pushkatim pa gjyq dhe në bulevard ka ndodhur një pushkatim pa gjyq. Gjykata thotë se 4 protestuesit kanë qenë jo të dhunshëm”, tha midis të tjerash Braçe.