Sot me vezë, nis ”mankthi” i përndjekjes ndaj Bashës. Deri sa do të durojë?

Nga: Redjon Shtylla

Me episodin e sotëm, ndaj Lulzim Bashës nisi ”sulmi” i cili nuk dihet se kur nuk të përfundojë. Përndjekja nga ana e demokratëve do të jetë kudo që Basha të shkelë, e ku sot ishte nga të rinjtë e FRPD-së, e kjo me vezë dhe thirrje kundër. Basha do të shkonte në një takim me gratë dhe vajzat në kuadër të procesit zgjedhor të Lidhjes Demokrate të Gruas, ku të rinjtë e pritën me pankarta dhe qëlluan makinën me vezë.

Në këtë takim Basha tha se ka ardhur momenti që të shkëputemi përfundimisht nga ky model i së keqes, i cili po na shkatërron. Për të fatkeqësisht ky model i së keqes është akoma në krye të punëve të vendit, jo me votën e shqiptarëve, por që vazhdon dhe mbulohet edhe nga disa hijet të së shkuarës.

Që pas shpalljes së Sali Berishës ”non-grata” nga SHBA-ja, situata në PD nuk ka qenë më e trazuar dhe në kaos. Më pas Berisha nisi lëvizjen ”Foltorja”, e që një pikë e fortë është edhe protesta e 8 janarit. Mbajtja e Kuvendit Kombëtar dhe Referendumi ku anëtarët votuan pro shkarkimit të Lulzim Bashës si kryetar, e ka kthyer betejën edhe më të egër. Të dyja palët pretendojnë se janë ata PD-ja zyrtare, por deri më sot vula është te Basha.

Ndaj dhe për këtë të fundit, duket se nuk do të ketë më rehati. Demokratët i janë qepur pas, dhe do e përndjekin këmba-këmbës, nuk do ta lënë rehat. Është një strategji që nuk është për herë të parë ndaj Bashës, por bota ka parë me qindra shembuj. Edhe në politikën tonë, por me raste të rralla. Në raste të ngjashme, nga protestat e qytetarëve ministra kanë dhënë dorëheqjen. Nuk dihet sesa durim do të ketë Basha përballë të tillave skenave, në një kohë që edhe zgjedhjet e parakohshme në 6 bashki po afrojnë.

Demokratët që janë pro Berishës duken të vendosur për të arritur në qëllimin e tyre për shkarkimin e Bashës si kryetar i PD-së. Demokratët duken se janë të lodhur nga humbjet e Bashës, dhe nga opozita e PD-së nën drejtimin e tij. Një gjë është e sigurtë, demokratët duken të vendosur në qëllimin e tyre, që ti bëhen mankth Bashës.

Ndryshimi që PD kërkon të sjellë përmes ardhjen në pushtet, sot më shumë se kurrë i duhet vetë asaj. Të rikthejë figurat që ka përjashtuar nga partia, të forcojë bazën e ta mobilizojë siç po bën doktori. Nëse jo, atëherë shqiptarët do kërkojnë një forcë të re opozitare, ose do të pranojnë mbretërimin e Edi Ramës. Sot Basha është i vetëm në PD, dhe pranë vetes ka 4 apo 5 deputetë besnikë, por me këtë ekip, Basha nuk siguron as fitoren për postin e tij në PD, e jo më të dalë përballë Ramës.

SHKARKO APP