Sot në 108 vjetorin e Pavarësisë, Rudina prezanton partinë dhe skuadrën (VIDEO)
Deputetja Rudina Hajdari dhe Pano Soko kanë zgjedhur ditën e sotme për të prezantuar organizimin e partisë së re ”Nisma”. Në fjalën e saj, Hajdari u shpreh se Shqipëria është një vend shumë i pasur, por i vjedhur dhe shpresa do të vijë te bashkimi i shqiptarëve dhe të rinjve në 25 prill e më tej.
Pjesë nga fjalimi
Shqipëria nuk është aspak një vend i varfër ashtu siç kanë dashur ta besojmë gjatë gjithë këtyre viteve. A mund të themi dot se jemi një vend i varfër kur ka pafund lumenj si Valbona. A mund të themi se jemi të varfër kur ka liqene si ato të Belshit. Ne jemi një fuqi hidrike dhe krahasohemi me Norvegjinë. A mund të jetë një vend i varfër kur laget nga dy dete të mrekullueshme.
A mund të jetë një vend i varfër që ka fushën e naftës më të madhe në kontinent. A mund të jetë një vend i varfër që ka diell 300 ditë të vitit. A mund të jetë i varfër ky vend me miliona banorë të ndershëm e punëtorë të cilët shkëlqejnë kudo që shkojnë nëpër botë. Nuk jemi të varfër aspak, jemi shumë të pasur por jemi të vjedhur. Por shpresën tonë nuk na e vjedhin dot.
Në 30 vite kjo klasë politike ka marrë gjithçka ka mundur duke dhënë pak ose aspak për shqiptarët e thjeshtë. Shpresa është te bashkimi ynë sot, te bashkimi ynë nesër, te bashkimi i madh që do ndodhë në 25 prill e më tej për të ardhmen tonë dhe fëmijët tanë.