Sot nisi vaksinimi i shqiptarëve, Kuli: Pas 6 muajsh marrim frymë lirisht

”Nëse vaksinimi rezulton me ritme të rregullta, do të kemi mundësi të marrim frymë lirisht pas 6 muajve të parë të vitit 2021”. Është ky optimizmi që na jep mjekja nga Komiteti i Vaksinimit, Gjeorgjina Kuli. Nga ana tjetër, ajo thotë se vaksina të mbron nga format e rënda të sëmundjes, por nuk e dimë sa pengon përhapjen.

”Virusi është i paparashikueshëm. Ne patëm hipoteza që duke qenë virus respirator që në verë do binte kontaminimi apo do të zhdukej, nuk ndodhi. Për vaksinën ka diçka që nuk është e sqaruar mirë. Ne dimë që të mbron nga format e rënda të sëmundjes, por nuk dimë se deri ku pengohet transmetueshmëria. Personi i vaksinuar mund të mos sëmuret rëndë, por nuk e dimë sa pengon përhapjen dhe nuk mund të themi se kur ndalon procesi i përhapjes. Nëse vaksinimi rezulton me ritme të rregullta do të kemi mundësi të marrim frymë lirisht pas 6 muajve të parë të vitit 2021”,-tha ajo në ”A2cnn”.

Mjekja theksoi se po shihet mundësia që të kryhet vaksinimi i kombinuar në varësi të dozave që do të ofrohen, që paralelisht me shërbimin mjekësor të vaksinohen edhe të moshuarit apo ata më të rrezikuar. Sipas Kulit ky proces do të zgjasë disa muaj dhe krahas qendrës së vaksinave në stadiumin “Air Albania” do të ketë edhe dy qendra në spitalet e Shkodrës dhe Fierit. ”Ky proces do të shkojë deri në disa muaj. Përveç qendrës së vaksinës në stadium do të ketë dhe dy qendra në spitalet e Shkodrës dhe Fierit që të realizohet vaksinimi i një popullate të madhe”.

SHKARKO APP