Spahiu, letër Donald Lu-së: Do i njihni bashkitë e fituara nga kriminelët?

 

Kreu i Aleancës Kuqezi Kreshnik Spahiu i ka dërguar një letër publike ambasadorit amerikan Donald Lu.

Ai i kërkon ambasadorit që të mos njohë fituesit e bashkive ku kandidonin persona me rekorde kriminale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në nisjen e fushatës Donald Lu bëri thirrje që të pastroheshin listat nga të inkriminuarit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Por nëse PD hoqi kandidatin e saj në Këlcyrë për shkak të rekordeve kriminale, nga PS nuk pati asnjë lëvizje.

Ja letra e plotë e Kreshnik Spahiut:

 

I nderuar shkëlqesia juaj, Ambasador Donald Lu
Prej disa ditësh kemi ndjekur me shumë interes prezencën dhe rolin tuaj aktiv në fushatën elektorale të zgjedhjeve për qeverisjen vendore në Shqipëri.

Me admirim kemi vlerësuar se ju po kryni me dinamizëm misionin tuaj si vazhdimësi e suksesshme e ish-ambasadorëve të mëparshëm, Arvizu dhe Withers.

Mijëra shqiptarë panë tek ju një rreze shprese 24 orë para ditës së votimit, kur ju i apeluat gjithë shqiptarëve që të mos votonin kandidatët për kryetar bashkie të cilët janë me rekorde kriminale.

Thirrjet tuaja për të mos votuar elementët mafioz dhe “Mercedesët e Zinj” ishin një apel miqësor dhe diplomatik i një miku të vërtetë të shqiptarëve dhe jo i qeveritarëve.

Më lejoni që të shpreh konsideratën por dhe vlerësimin e mijëra shqiptarëve për kurajon tuaj fisnike.

Ndëkohë që zgjedhjet përfunduan dhe emrat e kandidatëve fitues u publikuan, një sërë pikëpyetjesh u ngritën sërish për të ardhmen e Shqipërisë.

Miliona sy janë drejtuar drejt jush për të parë dhe dëgjuar nëse:

– Kriminelët u votuan apo u refuzuan me vota nga shqiptarët?

– A do legjitimohet fitorja edhe nëse atyre do u krijoj imunitet funksioni publik i kryetarit të bashkisë?

– A do i njoh Washingtoni ata si partnerë?

– A do njihen këto zgjedhje të fituara nga “mercedesët e zinj” si proces zgjedhor me standarde apo jo?

– A do bëhen publikë emrat e kryetarëve që fituan, por që më pare, kanë pas rekorde kriminale apo do lihen anonim emrat e tyre

Parimet dhe standardet janë padyshim më të rëndësishme se rezultati apo se kush ishte fituesi.

Këto dhe shumë pikëpyetje i nderuar mik i madh i shqiptarëve pritet të marrin një dritë informacioni prej jush në kushtet kur populli ka një krizë besimi të lartë tek institucionet e drejtësisë.

Ne ju inkurajojmë në rrugën e guximshme që keni nisur dhe u kërkojmë ndihmë si një komb me demokraci hibride dhe mungesa të theksuara të të drejtave qytetare.

Ne jemi me ju, se dhe Ju, jeni një avokat i shkëlqyer i kombit shqiptar.

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, më lejoni dhe njëherë të shpreh konsideratat e larta për shkëlqesinë tuaj.

Me respekt, Kreshnik Spahiu (Kryetar Aleanca Kuqezi)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?