Spahiu publikon shifrat: Qeveria “Rama” dështoi në menaxhimin e pandemisë Covid 19
Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu,deklaron se Qeveria “Rama” dështoi në menaxhimin e pandemisë Covid 19.
Teksa publikon dhe të dhënat zyrtare, Spahiu shprehet se deficiti në buxhetin e shtetit për vitin 2020 ka shkuar duke u thelluar në 1.1 miliard euro, pasi tkurrja e të ardhurave pritet të jenë me -17%, ndërkohë që shpenzimet priten të rriten me 18% më shumë se një vit më parë.
Dhe, sipas tij, Qeveria jo vetëm që nuk bën asnjë përpjekje për të frenuar rënien drastike të të ardhurave në buxhetin e shtetit, nuk merr as mundimin për të diskutuar, rishikuar apo negociuar ndryshime të mundshme të kontratave të PPP-ve.
“Pavarësisht rishikimit që i është bërë buxhetit të shtetit për herë të tretë nga qeveria, parashikimi i rënies së të ardhurave me 4% krahasuar me një vit më parë ngelet më shumë një dëshirë e qeverisë sesa një realitet ekonomik.
Realizimi i të ardhurave për buxhetin e shtetit nuk mund të bazohet mbi dëshirat apo orekset e Ministres së Financave. Sado të përpiqen të manipulojnë treguesit kryesor të ekonomisë, faktet flasin qartë.
Deficiti në buxhetin e shtetit për vitin 2020 ka shkuar duke u thelluar në 1.1 miliard euro, pasi tkurrja e të ardhurave pritet të jenë me -17%, ndërkohë që shpenzimet priten të rriten me 18% më shumë se një vit më parë.
Qeveria jo vetëm që nuk bën asnjë përpjekje për të frenuar rënien drastike të të ardhurave në buxhetin e shtetit, nuk merr as mundimin për të diskutuar, rishikuar apo negociuar ndryshime të mundshme të kontratave të PPP-ve.
Pra, shpenzimet rriten me 18% për kontrata, në shumicën e rasteve të panevojme, për momentet që po kalojmë.
Si do ta zgjidhi defiçitin e krijuar qeveria, kur të ardhurat ulen e shpenzimet rriten?
Sigurisht duke rritur borxhin, barrën financiare të çdo shqiptari.
Borxhi për frymë që shqiptarët duhet të paguajnë pas 7 viteve ka arritur në 4492 euro/frymë.
Paaftësia dhe klientelizmi i kësaj qeverie e kanë çuar ekonominë e vendit në përmasat e krizës ekonomike të vitit ’97.
Zgjidhja në këto kushte do të ishte mbështetja serioze e bizneseve, investimeve të reja të munguara prej kohësh, kjo për të ndaluar rritjen e papunësisë, rënien e konsumit dhe falimentimin e tyre. Çlirimi ekonomisë nga tentakulat e qeverisë për të kontrolluar dhe orientuar tregun si dhe heqja dorë nga shantazhet, kërcënimet dhe gjobvëniet ndaj çdo biznesi”, shprehet ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu.