Spaho: Demokratët s’do e falin Bashën për 8 janarin, PD po riorganizohet
Deputeti demokrat dhe anëtar i Komisionit të Rithemelimit, Edmond Spaho është shprehur se demokratët nuk do ia falin Lulzim Bashes atë që iu bëri me 8 janar. Për të Basha është kthyer në një vegël të Edi Ramës, ndërsa shtoi ai mbahet në seli të PD falë kryeministrit Edi Rama.
”Nuk është se kemi vendosur ne që të përplasim njerëzit, përkundrazi s’kemi dashur të arrijmë në këtë situatë. Duhet të ju kujtohen ngjarjet e 8 janarit se si veproi Basha ndaj demokratëve. I goditi me gaz nga brenda.
Futi brenda mercenarë që i goditën demokratët me shkopinj bejsbolli, se si dolën individë me rekorde kriminale që ne i kemi bërë publik me emër dhe mbiemër. Ka pasur 10 të plagosur nga radhët e demokratëve, asnjë të gërvishtur nga ata brenda. Në këtë kuptim demokratët nuk ia falin Lulzim Bashës atë që iu bëri me 8 janar.
Basha sot është kthyer në një vegël të Edi Ramës. Ai mbahet në atë godinë nga Edi Rama. Ajo nuk është shtëpia e tij, nuk është prona private as Lulzim Basha, as Sali Berisha dhe asnjë ndonjë tjetër por është e gjithë demokratëve. Kanë të drejtë të futen të gjithë”.