Spaho për Ramën: Babagjyshi i Vitit të Ri nuk beson tek Shqipëria, sheh pushtetin
Ekonomisti Mateo Spaho duke quajtur kryeministrin Edi Rama, Babagjysh të Vitit të Ri, tha se ai nuk ka më besim tek Shqipëria por shikon vetëm pushtetin e tij.
Spaho, i ftuar në emisionin “Ekopolitikë” në RTV Ora, shtoi se Rama ka pasur mundësinë të bëjë Shqipërinë ashtu siç ka dashur pasi pati gjithë tepsinë, por rezultati është se e çoi vendin drejt tharjes.
Mateo Spaho: “Babagjyshi i Vitit të Ri nuk beson tek Shqipëria, kjo është gjëja më e keqe. Nuk ka besim tek Shqipëria, nuk shikon një Shqipëri në të ardhme dhe si pasojë kërkon vetëm të shikojë pushtetin e vet.
Si pasojë unë nuk kam më besim tek ky Babagjysh, nuk besoj më tek Babagjyshi i Vitit të Ri dhe nuk besoj më tek ky kryeministër sepse në 7 vite dhe nëse do kishte pasur ndonjë besim dhe ide për ta aplikuar në Shqipëri, jo shtrëngues por promovues, zgjerues, për vendin tonë, ka pasur gjithë kohën për ta realizuar.
Ka pasur një pjesë të tepsisë me byrek e me lakror, pastaj të gjithë tepsinë, ka pasur mundësinë për ta plazmuar si plastelinë këtë vend ashtu siç e ka dashur, se është edhe artist, por rezultati është se ky vend nuk ka formë. Është një vend pa formë dhe po thahet.”