“SPAK-BKH së shpejti nisin ndëshkimet”! Bushati: 13 tetori, pa vlerë!
Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, ka deklaruar se nuk ka asnjë vlerë 13 tetori, dita e dekretuar nga Presidenti Ilir Meta për të zhvilluar tre palë zgjedhjesh, ato vendore, të përgjithshme dhe presidenciale.
Në rubrikën “Opinion”, në News 24, deputeti Bushati tha se shumë politikanë kanë frikë dhe janë trembur nga Reforma në Drejtësi, e cila sipas tij, shumë shpejt do të ketë ndëshkime.
“Nuk ka krizë politike në Shqipëri, por krizë të opozitës. Presidenti ka marrë rolin e opozitës. “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”. Në momentin që opozita s’po e nxjerr dot veten nga balta, dalin Berisha dhe Meta. Presidenti e ka zhveshur kostumin e kreut të shtetit dhe ka marrë mbi vete petkun e opozitbërësit. Patjetër që do gabojë, siç gaboi me 30 qershor. Në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese Presidenti anuloi zgjedhjet. Presidenti ka dekretuar një datë tjetër për zgjedhjet. 13 tetori s’ka vlerë fare. Nuk mund të ndodhë që të futemi në një rreth vicioz e të bëjmë zgjedhje çdo dy vjet, çdo një vit e çdo muaj.
Për çdo gjë po bën opozitë, gjë që nuk e ka atribut. Na ka kthyer ligje pa fund nga nëntori i kaluar, kur vendosi të bëhej opozitbërës. Nga Reforma në Drejtësi do ketë njerëz që do ndëshkohen. Të gjithë kanë frikë nga kjo reformë, kush të tha që ka frikë vetëm opozita. Ka njerëz që duhen të tremben. Organet e drejtësisë kanë filluar të jenë funksionale. Gjykata Kushtetuese fillon brenda shtatorit, e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me SPAK e BKH. Është një proces jashtë ndërhyrjes dhe vullnetit tonë politik për të ndërhyrë. Në vjeshtë dhe dimër do shohim se do avancojë me shpejtësi reforma”, tha deputeti.
Më tej, ligjvënësi i majtë pranoi se ka një rënie të ekonomisë, ndërsa renditi edhe faktorët që e kanë shkaktuar.
“Nuk ka rritjen si më parë dhe kjo lidhet me disa faktorë. Kemi një rënie sa i përket të ardhurave nga lojërat e fatit, si dhe kemi rënie të ekonomisë sa i përket klimës politike. Shpresoj ta rimarrim veten shpejt, ka shumë potencial për të zhvilluar ekonominë”, u shpreh Bushati.
Gjithashtu, deputeti Bushati foli dhe për procesin zgjedhor të 30 qershorit, duke thënë se opozita gaboi me vendimin për të mos marrë pjesë në zgjedhje.
“Ne nuk jemi armiq, por rivalë politikë. Zgjedhjet ishin legjitime, kryetarët e bashkisë në shumë bashki kanë marrë detyrën e tyre, ata kanë një detyrë të dyfishtë. Deri në fund të gushtit do të mbyllet konstituimi i të gjithë këshillave bashkiakë dhe kryebashkiakët do të fillojnë punën e tyre.
Nuk duhet thënë që shqiptarët nuk marrin pjesë në votime. Shqiptarët nuk janë inertë, marrin pjesë në votime. Zgjedhjet në 30 qershor nuk përfaqësuan një pjesë të popullatës, pasi opozita vendosi të mos marrë pjesë. Një pjesë e qytetarëve nuk arritën të gjenin veten e tyre në zgjedhje dhe ky nuk është faj i mazhorancës, por i opozitës, që vendosi të mos merrte pjesë. Ishte gabim i pafalshëm nga ata dhe kush jemi ne që t’i falim.
Opozita nuk është tërhequr as në vende ku ka qenë në kushte shumë më të vështira, në kushte vrasje. Nuk u tërhoq as në ’97-ën. Kjo i bie të jetë si në shekullin e XVII në Evropë. Kjo e bën më të vështirë qeverisjen. Ne po e nisim nga fillimi, do kërkohet më shumë, do bëjmë dyfishin e punës. Kryetarët e bashkisë do duhet të bëjnë punën më të mirë të tyre, si dhe t’iu sqarojnë qytetarëve kur nuk arrijnë të bëjnë dot një punë. Ata duhet të bindin qytetarët pse nuk mund të bëjnë dot një punë, pasi varet nga buxheti”, deklaroi Ervin Bushati.