SPAK nis hetim të dytë për ish-kryeprokurorin Llalla. Firmosi shkarkime dhe transferime të padrejta

Një dosje e dytë kundër ish-kryeprokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” është rihapur në Prokurorinë e Posaçme SPAK. Hetimet janë përqendruar në veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, gjatë periudhës kur Llalla ka mbajtur postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Objekt i këtij hetimi janë disa raste vendimmarrje të Llallës në shkarkimin e Oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe transferimin në kundërshtim me ligjin të disa prokurorëve. Rasti në fjalë ka marrë indicie pas një kallëzimi të paraqitur në prokurorinë e Tiranës, nga një oficer i policisë gjyqësore në Gjirokastër.

Ky oficer ka pretenduar në kallëzim se është shkarkuar në mënyrë të menjëhershme nga ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, vetëm për një koment të bërë në profilin “Facebook”, ku përmes tij kritikonte punën e ish-ministrit të Brendshëm në atë kohë, Saimir Tahiri, në luftën e padrejtë kundër asgjësimit të drogës. Me urdhër të Llallës, oficeri pretendon se është shkarkuar në mënyrë të menjëhershme duke u përjashtuar nga organika e prokurorisë së Gjirokastrës, pa ndjekur një procedurë ligjore siç e kërkonte ligji i kohës.

Po me urdhër të Llallës dhe 6 prokurorët e transferuar janë Kasëm Berberi, Bilbil Mete, Bujar Sheshi, Hysen Keta, Kujtim Luli dhe Isa Jata. Të gjitha transferimet janë kryer në kundërshtim me ligjin, duke larguar 6 prokurorët e vjetër nga Prokuroria e Përgjithshme në prokurorinë e Tiranës, Kavajës, Përmetit dhe Prokurorinë e Apelit për Krime të Rënda.

Duke qenë se Llalla mbante funksionin e lartë shtetëror dhe vepra penale e “Shpërdorimit të detyrës” është kryer nga një zyrtar i lartë i shtetit, prokuroria e Tiranës ka vendosur të shpallë moskompetencën juridike të hetimit të kësaj dosje, duka ja kaluar çështjen për hetime të mëtejshme prokurorisë së posaçme SPAK.

Llalla u ndalua në Italia në datën 10 dhjetor 2021 dhe më pas u la i lirë, pas kërkesës për statusin e azilantit. Aktualisht Adriatik Llalla, qëndron i lirë në këtë shtet duke fituar dhe lejen e qëndrimit të përhershëm në Itali.

SHKARKO APP