Spartak Ngjela: Fatos Nano, prijës apo politikan

(Botuar me 14 Qershor 1995 në KOHA JONE)

Në Shqipëri, 15 vitet e fundit një Kryeministër është vrarë, 3 janë në burg, kurse të katërtit po i mprehen thikat e ndëshkimit burgal
Flet avokati Spartak Ngjela

Gjendjes politike, të pas 22 marsit të vitit 1992 po i mbaron mandati juridik. E përgjithshmja duket se është kundër saj. Opozita ndihet që tani si e fituar. Por të gjithë e dinë se ajo është e majtë. Në këtë kontekst, duke e parë dhe precedentin e Evropës Lindore, ç’mendim keni, si do të rrjedhin ngjarjet për pushtetin politik në Shqipëri?
Natyrisht, kjo që shtroni ju qëndron, veçse unë mendoj se është vetëm aparenca e gjendjes së sotme politike. Kanë kaluar 3 vjet nga mandati i PD, investitura po ha fundin e vet. Ka qenë në të vërtetë një kohë tepër e tensionuar politike dhe brenda saj ka arritje dhe dështime. Balanca e këtij raporti duhet parë me vëmendje, kur është fjala për konkluzione që i duhen politikanit jashtë luftës për pushtet. E them këtë sepse filozofikisht dështimet në qeverisje janë hipoteza të dështuara, pa eksperiencë, në një kohë që dihet se çdo dije vjen nga eksperienca. Në anën tjetër, edhe arritjet janë eksperiencë, sepse janë hipoteza të provuara, ose precedente pozitive, por gjithmonë, për të dyja rastet, gjykimi, për të qenë i shëndoshë duhet të mbart me vete konstanten e aftësisë dhe paaftësisë, ngaqë dihet që shpesh e më shpesh ka ndodhur që hipotezat janë varrosur nga paaftësia, ngaqë po shpesh ndodh që ato të jenë dashur të provohen jo nga mbartësit por nga vjedhësit e tyre. E pra, individualisht, për çdo politikan aktiv, brenda raportit të koshiencës së tij politike me realitetin, ideja progredon nga pozitivja; kurse, brenda aftësisë së tij në raport me aftësinë e qeverisjes, pa dyshim që gjithçka ndryshon. Gjithkush ka të drejtë të pretendojë se din të qeverisë më mirë, dhe se për këtë bind edhe elektoratin, patjetër se fiton edhe pushtetin politik për një mandat të caktuar kushtetues. Ky është në fund të fundit silogjizmi absolut i demokracisë, domethënë i votës së lirë. Kështu pra, nëse do t’i qëndrojmë pyetjes suaj, opozita me të drejtën e vet, në një mënyrë a në ndonjë tjetër po evidenton dështimet e pozitës, dhe vetëm kaq, sepse deri tani ende nuk po shohim programet e detajuara, për të parë propozimin, pra çdo të bënte ajo nëse do të vinte në pushtet. Tek e fundit, pragmatizmi i elektoratit qëndron ngaherë tek konkretja, te një pyetje e thjeshtë, por tepër e vështirë: çfarë do të më japësh në katër vjetët e tu? Pikërisht për këtë, unë theksova që në krye të herës se kjo që shohim është vetëm aparencë, pasi në thellësi të gjërave qëndron si shpata e Damokleut pyetja: çfarë do të më jepni zotëri për 4 vjet, nëse unë do të lëshoja mandatin tim?
Para disa ditësh, kryetari i burgosur i Partisë Socialiste, nëpërmjet një interviste të gjatë në “ZP”dukej se shpaloste programin e qeverisë së vet. A e keni lexuar, dhe nëse po, a s’e keni gjetur aty propozimin për të cilin ju bëni fjalë? Dhe veç kësaj, çfarë mendimi keni për politikanin Fatos Nano?
Duke i qëndruar parimeve të mia për respektin njerëzor, përgjigjen do ta nisja nga fundi. Individualisht e vlerësoj politikanin Nano, jo si inerci e psikozës aktuale kolektive, por si lojtar të aftë, që e njeh mirë skakierën e politikës moderne. Këtë mendim kam patur edhe para dy vjetësh. Për sa i përket fajësisë së tij, kuptohet se si avokat afërmendsh që jam në anën e tij; kurse si politikan, ju duhet ta kuptoni se çështja merr tjetër ngjyrë. Megjithatë, gjithmonë brenda spektrit të politikës, z. Nano nuk është i izoluar prej saj, përkundrazi ai luan sot në pikat dominante të politikës, është padyshim Charman i opozitës dhe për partinë e vet është kthyer, ndoshta me të drejtë, në një simbol. Duke u nisur nga të gjitha këto të cilat unë i konsideroj të vërteta apodiktike, si dhe duke e lexuar me vëmendje intervistën e tij të gjatë në “ZP”, e cila herë-herë artikulohet si një program i ardhshëm i partisë të cilën ai përfaqëson, veç të tjerave, për të cilat do të flas më poshtë, shoh se dashur pa dashur z. Nano duket sikur po i pëlqen pozicioni i prijësit. Në të vërtetë, nëse ka një defekt serioz sot në politikën shqiptare, është pikërisht pakti që ende klasa e re politike dominohet nga psikologjia e liderit (prijësit) dhe jo nga ajo e politikanit. Pikërisht për këtë, gjithkush duhet të kuptojë se gjendja politike do të vijë në përmirësim në Shqipëri, paralel me përmirësimin gradual që do të sjellë më në fund shkatërrimin e psikologjisë së prijësit dhe lentimin e psikologjisë së politikanit. Shikoni se çka ndodhur në Shqipëri në 15 vjetët e fundit: një Kryeministër i vrarë, dhe tre të tjerë në burg; kurse të katërtit po i mprehen thikat e ndëshkimit burgal. Dhe pse ndodh kjo; natyrisht se ne priremi nga prijësit e jo nga politikanët. Jam i bindur se kalimi nga kryeministër në katedrën universitare sot nga klasa politike quhet ende një ekstravagancë e papranueshme, në një kohë kur vetë politika në demokraci është një lojë që vijon bashkë me pozicionet e ulëta dhe të larta që zë një politikan, nëse ai është vërtet një politikan karriere. Po, po, një politikan karriere, sepse ta stigmatizosh një politikan duke i thënë karrierist, s’bën tjetër veçse i përshtatesh psikologjisë së prijësit, pasi karriera politike është substanca e konstitucionit të brendshëm të politikanit. Arrivizmi, patjetër që është tjetër gjë, sepse ai nuk është substancë e konstitucionit të brendshëm të politikanit, por substancë e konstitucionit shpirtëror të prijësit. Tani, sigurisht që vjen pyetja: çfarë propozon kreu i opozitës shqiptare. Natyrisht, pa pretenduar se dal jashtë subjektivizmit tim, shoh se duke i pranuar konceptet e Nanos për shtetin, përkatësisht për përmirësimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, të cilin ai e godet me vend, nuk pajtohem me vizionin e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik. Mendoj se koncepti i tij është më i vjetër nga ai që kërkon të sjellë në Shqipëri mendimin e djathtë. Në fund të fundit dhjetëvjetëshi i fundit solli dy kolapse; kolapsin e marksizmit si ideologji dhe kolapsin e komunizmit si sistem. E përmend këtë jo për të paragjykuar z. Nanon si përkrahës të tyre, sepse asnjëherë s’e kam parë atë si përfaqësues të vijueshmërisë apo inercisë së regjimit të vjetër, por për atë se vërej që ai ende beson te etatizmi. Më duket se i dhimbset ende prona ineficente shtetërore në Shqipëri, në një kohë që mendimi i djathtë i kualifikuar është për privatizimin total. Në anën tjetër mendoj se brenda një frike elektorale, Nano i druhet kapitalizmit, ndonëse gjen vend të përmendë mendimin social demokrat. Nisur nga ky këndvështrim, duhet të theksoj se epoka e sotme është momenti kur qytetërimi modern pasi kaloi revolucionin industrial, pasi mbaroi revolucionin e prodhimit, ka hyrë në kohë në periudhën e revolucionit në menaxhment. Kurse mendimi i djathtë i kualifikuar, e kapërcen Nanon, kur mendon që pas një kapitalizmi integral mes privatizimit total të pronës shtetërore në Shqipëri, të kalojë në organizimin modern të mbarë jetës shoqërore, duke e kthyer revolucionin në menaxhment. Sepse në fakt kjo është konkretja; sepse më në fund këtu duhet gjetur edhe strategjia për hapjen e vendeve të punës dhe pasurimit integral të shoqërisë; pasi gjithkush e ka të qartë sot se ideja e Adam Smithit për njerëzit e pasur që pasurojnë të gjithë shoqërinë, gjeti plasmimin e saj që dy vjet para vdekjes së Karl Marksit, kur Frederich Winslow Taylor (1856-1915), në vitin 1881 me gjenialitetin e tij, duke e drejtuar dijen drejt punës, analizimit të punës si proces dhe inxhinieringun e saj, hodhi bazat e organizmit shkencor të punës, për ta futur qytetërimin modern në rrjetën e revolucionit të prodhimit. I theksoj këto, pasi shoh se z. Nano, ndonëse kuptohet se nuk e pranon më Marksin ( për erudicionin e tij kjo është më se normale), pasi mundohet të shfrytëzojë Keynes-in për t’i hedhur fuçinë e suiftit marksistë të vonuar të partisë së tij, dhe si pasojë e kësaj mendoj se mbetet dy hapa pas mendimit të djathtë të kualifikuar, i cili, ndonëse nuk është në pushtet, askush nuk mund ta ndalojë që të shpalosë platformën e vet gjatë fushatës së ardhshme elektorale. Megjithatë, gjithçka do ta vendosë koha pas 300 ditësh, kur secili do të shpallë idenë e vet për nxjerrjen e shoqërisë shqiptare nga varfëria.
Në lidhje me këto që thamë, kuptohet se ju në një farë mënyrë a në një tjetër, mendoni se e djathta ende ka të drejtë të aspirojë për pushtetin e ardhshëm?
Duhet thënë se e djathta shqiptare momentalisht është në krizë. Shkaqet e kësaj krize janë të shumta por më themelori është fragmentarizimi në një krah, dhe margjinaliteti që i ka bërë pushteti politik aktual të djathtës së kualifikuar. Nuk mund të thuash se PD nuk pati defekte apo dështime në këto 3 vjet të administrimit të saj, por në të njëjtën kohë, brenda qëllimit të djathtë, suksesi i saj i padiskutueshëm, është privatizimi me ritme të shpejta i ekonomisë. Ai duhet të vijojë me virulencë edhe në këto 300 ditë që kanë mbetur. Në këtë pikë duhet kurajë edhe më e madhe se ajo që tregoi Kopliku. Në fund të fundit duhet të jemi pragmatistë sepse strategjisë së djathtë i duhet patjetër dominanca e pronës private në ekonominë shqiptare, bile një predominancë absolute, në mënyrë që të vazhdojmë shpresën për rikonstruksionin e modelit perëndimor, përkatësisht anglo-sakson që duam të ndërtojmë, për të shkallmuar përfundimisht bastionet kolektiviste të socializmit. Në të njëjtën kohë, e djathta në përgjithësi duhet të jetë më e vëmendshme në politikën me fqinjët. Fitorja e fundit në Referendum e Berluskonit, na jep mundësinë për një ecuri më të sigurt në rrugën drejt privatizimit, në një kohë që duhet ta kemi të qartë se situata e sotme e politikës perëndimore nuk është as nacionale dhe as internacionale, ajo është perëndimore. Pikërisht këtu e kap nismën e vet ideja e bashkëpunimit zonal. Në pellgun tonë gjeografik ne duhet të jemi liberalë në funksion të momentit privat të ekonomisë, në mënyrë që të shfrytëzojmë precedentin koreanojugor të kualifikimit për krijimin profesional të menaxhimit modern të ekonomisë dhe gjithë shoqërisë në përgjithësi. Organizimi është koncepti modern i epokës sonë, pasi jemi në çastet kur dija punon për vetveten. Koha tregoi se aplikimin e dijeve mund ta sjellë në një shoqëri vetëm karakteri privat i saj. Brenda këtij koncepti pastaj vjen menaxhimi në të gjitha strukturat shoqërore, në shtet, në administratë, në art, në kulturë e në shkencë. Pikërisht për këtë, unë i qëndroj me këmbëngulje idesë që kam shprehur edhe më parë, se e djathta nuk është ideologji, por pragmatizëm. Ajo është e tillë sepse në esencë ajo është normaliteti i jetës. Ideologjia i takon të majtës, sepse ajo ka në esencën e vet, ndryshimin e një normaliteti i cili asaj nuk i duket adekuat. Ja pra kush duhet të jetë përplasja në zgjedhjet e ardhshme: pragmatizmi me ideologjinë. Kush do të fitojë? Për këtë nuk mund të flasim, por për një gjë jam i sigurt, se nëse përplasja do të marrë këtë ngjyrë, në fund të fundit patjetër që kemi bërë një hap përpara në progredimin gradual të idesë së lirisë; dhe mendoj se kjo nuk është pak.
Intervistoi: Agim Xhafka

SHKARKO APP