Spiropali dënon sulmet në Gjirin Persik: “Shqipëria në mbështetje të aleatëve”

Ministrja në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi sot se situata në Lindjen e Mesme po hyn në një fazë të rrezikshme përshkallëzimi, me pasoja që shtrihen përtej rajonit dhe prekin sigurinë globale.

Sipas saj, në thelb të kësaj krize nuk janë vetëm shtetet dhe strategjitë politike, por njerëzit.

“Në Iran, qytetarë të zakonshëm kanë dalë në rrugë për dinjitet dhe liri. Shumë janë vrarë, të tjerë janë burgosur ose zhdukur. Kjo nuk mund të trajtohet thjesht si një zhvillim gjeopolitik, por si përballja e një shoqërie me shtypjen. Gratë dhe vajzat iraniane kanë qenë në vijën e parë të kësaj përballjeje, duke u kthyer në simbol të qëndresës, por edhe viktima të dhunës brutale. Shumë prej tyre kanë sakrifikuar jetën. Edhe pse jo të gjitha emrat njihen, sakrifica e tyre është reale dhe e dhimbshme. Ne nderojmë ata që kanë humbur jetën në emër të lirisë,” u shpreh ajo në një reagim në rrjetet sociale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Spiropali theksoi se Shqipëria ka qenë dhe mbetet e qartë në qëndrimin e saj, duke e konsideruar regjimin e ajatollahëve përgjegjës për shtypjen e popullit iranian për dekada dhe për destabilizimin e rajonit përmes veprimeve që cenojnë sigurinë ndërkombëtare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Njëkohësisht, ajo dënoi çdo sulm ndaj civilëve dhe çdo akt që mund të çojë në një përshkallëzim të pakontrolluar ushtarak. Sipas saj, janë të papranueshme sulmet dhe kërcënimet që kanë prekur Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraelin, vendet e Gjirit, si dhe interesat dhe personelin amerikan në rajon. Siguria e aleatëve dhe stabiliteti rajonal, theksoi ajo, nuk mund të vihen në diskutim.

Ministrja nënvizoi se Shqipëria qëndron përkrah aleatëve dhe partnerëve strategjikë në mbrojtje të sigurisë kolektive.

“Qëndrimi ynë lidhet edhe me përvojën tonë historike: ne e dimë çfarë do të thotë të jetosh në diktaturë dhe çfarë sakrifice kërkon liria. Në këtë moment delikat kërkohet maturi diplomatike, por edhe qartësi morale. Paqja e qëndrueshme ndërtohet mbi përgjegjësi dhe respekt për jetën njerëzore, jo mbi frikë. Liria ka një fytyrë, dhe sot ajo shpesh është fytyra e një gruaje apo vajze iraniane që ka zgjedhur të mos heshtë,” u shpreh Spiropali.

Ajo përfundoi duke theksuar se Shqipëria do të vazhdojë të flasë hapur sa herë që liria cenohet dhe siguria kërcënohet. “Ka momente kur historia kërkon qëndrim. Ky është një prej tyre,” deklaroi ajo.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?