Spiropali: Kontributi i grave e vajzave në Çlirimin e Atdheut, në themel të Shqipërisë europiane

Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot veprimtarinë “Gratë e Luftës, roli i tyre në kontekstin historik”, në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të vendit nga pushtimi fashist.

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali në fjalën e saj vlerësoi kontributin e grave dhe vajzave në Çlirimin e Atdheut dhe theksoi se ky kontribut qëndron në themel të Shqipërisë Europiane.

“Sot në prag të 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, jemi mbledhur për të nderuar gratë e vajzat që vunë atdheun mbi të gjitha, edhe për çlirim edhe për progres për një të ardhme më të mirë.

Vendosja mbi gjithçka e Atdheut nuk ishte rastësore, por vijim i trashëgimisë së përcjellë në breza përgjatë historisë. Ndryshe nga luftërat e mëparshëm në këtë luftë pjesëmarrja e gruas në lëvizjen për çlirim kombëtar, u gërshetua me atë të emancipimit shoqëror”, tha Spiropali.

Sipas kryeparlamentares, heroizmi i tyre në betejë, por edhe në rezistencë tregoi se gratë ishin aq të afta sa burrat për të luftuar, duke rrëzuar mitet dhe paragjykimet shoqërore.

“Gratë mbajtën pozita të rëndësishme në luftë. Në shumë brigada gratë përbënin mbi 30% të trupave me përgjegjësi të rëndësishme”, u shpreh Spiropali.

Spiropali tha se ndryshe nga burrat, të cilët shpeshherë glorifikohen si heronj, gratë janë lënë në hije dhe janë konsideruar si mbështetëse ose si mbrojtëse të prapavijës dhe jo si luftëtare të denja për të hyrë në histori.

“Ndoshta, sepse historinë në shumicë e kanë shkruar burrat, ata që në nënvetëdijen e tyre mezi e pranonin. Ndoshta edhe sot mezi e pranojnë që përkatësia gjinore nuk e bën një grua më pak trime, të mençur apo të aftë, përkundrazi, kjo përkatësi e bën edhe më sublime trimërinë mençurinë dhe sakrificën e tyre”, tha Spiropali.

Më tej kryeparlamentarja nënvizoi se vlerat antifashiste dhe kontributi i grave dhe vajzave në Çlirimin e Atdheut qëndrojnë në themel të kontributit të tyre për Shqipërinë europiane.

“Gratë dhe vajzat e Shqipërisë janë sot një forcë e madhe emancipuese dhe për këtë jemi të gjithë krenarë. Jemi të nderuar që këtë trashëgimi ta përcjellim brez pas brezi në kujtim të atyre që Atdheun e deshën më shumë se veten”, u shpreh Spiropali.

SHKARKO APP