Spiropali letër Venecias për mandatin e Xhaçkës, reagon Berisha: Komisioni ta hedhë poshtë këtë kurth
Sali Berisha ka reaguar pasi kryeparlamentarja Elisa Spiropali i dërgoi një letër KIomisionit të Venecias në lidhje me mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Ai thekson se Komisioni i Venecias duhet të hedhë poshtë me përçmim këtë përpjekje kurth për të justifikuar puçin konstitucional që Edi Rama dhe komisioni Xhafaj realizuan mbrëmë ndaj Gjykatës Kushtetuese.
“De facto asgjësoi Gjykatën Kushtetuese, pa të cilën Kushtetuta shndërrohet në një letër pa vlerë. Me këtë akt, Edi Rama dëshmoi se në duart e tij janë sot të përqendruara të gjitha pushtetet. Se ai nuk kontrollon më vetëm “Skapin”, Gjykatën e Lartë, Gjykatën e Apelit, por edhe në një rast të rrallë, kur nuk ka të sigurt vendimin që do, krijoi Komisionin Xhafaj për të shumëzuar me zero Gjykatën Kushtetuese”, tha Berisha.
Në momentin e votimit, 25 deputetë demokratë votuan pro, ndërsa 9 socialistë kundër. 65 të tjerë shtypen butonin e abstenimit duke bërë që projektvendimi të mos merrte votat e nevojshme për miratim. Kuvendi për herë të dytë radhazi refuzoi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila dy herë ishte shprehur me vendim duke nënvizuar se parlamenti është i detyruar të miratoje mocionin e 1/10 së deputetëve. Sipas votimit, socialistët e shprehur me votë kundër janë Damian Gjiknuri, Bledar Çuçi, Jyrgis Çyrbja, Anduel Tahiraj, Paulin Sterkaj, Petro Koçi, Shkelqim Bullari, Bujar Çela dhe Klodiana Spahiu. Vetë Olta Xhaçka ishte në sallë gjatë momentit të votimit, por nuk mori pjesë në të.