Spiropali uron Pavarësinë: Të bëhemi një yll i shtuar në flamurin e familjes së madhe të Europës
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali uroi sot shqiptarët me rastin e 28 nëntorit, Ditës së Pavarësisë.
Kryetarja e Kuvendit Spiropali mori pjesë sot në homazhet e zhvilluara në Vlorë, së bashku me Presidentin Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, etj.
Në mesazhin e saj, Spiropali u shpreh se “112 vjet pas nëntorit të lavdishëm të Atit Themelues të Shqipërisë së Pavarur, Plakut të Vlorës, Ismail Qemalit, që na bashkon, afron dhe frymëzon, drejt qëllimit tonë kombëtar: të çojmë flamurin e Kastriotit në BE dhe të bëhemi një yll i shtuar në flamurin e familjes së madhe të Europës, me të cilën na bashkojnë rrënjët, identiteti, historia, gjeografia, arti, kultura, vizioni, e tashmja, e ardhmja dhe gjithçka”.
Shqipëria feston sot 28 Nëntorin, 112 vjet nga shpallja e Pavarësisë.
28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.