Spitali i Durrësit përfshihet nga flakët. Rreth 120 pacientë të evakuuar, 5 të tjerë janë tek Trauma
Policia e Durrësit ka reaguar pas përfshirjes nga flakët të Spitalit të Durrësit, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Policia njofton se zjarrit dyshohet se ka ardhur si pasojë e përfshirjes nga flakët të katër kabinave elektrike të katër kateve, fillimisht në katin e parë. ”Si pasojë e zjarrit janë asfiksuar 5 pacientë, të cilët janë dërguar në spitalin e traumës në Tiranë, për mjekim të specializuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet e para hetimore rezulton se shkaku i zjarrit ka ardhur si pasojë e përfshirjes nga zjarri të katër kabinave elektrike të katër kateve, ku zjarri fillimisht ka nisur në katin e parë dhe ka vazhduar deri në katin e katërt”.
Njoftimi i plotë
Më datë 11.01.2020, në orën 00:25, në repartin e ortopedisë në spitalin e Durrësit, ka rënë zjarr, i cili ka përfshirë kabinat elektrike të pavijonit. Menjëherë kanë shkuar forcat e Policisë dhe zjarrfikësit. Shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe personeli kanë bërë të mundur evakuimin e të gjithë pacientëve nga të katër katet e pavijonit duke i transferuar në një pavijon tjetër. Si pasojë e zjarrit janë asfiksuar 5 pacientë, të cilët janë dërguar në spitalin e traumës në Tiranë, për mjekim të specializuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet e para hetimore rezulton se shkaku i zjarrit ka ardhur si pasojë e përfshirjes nga zjarri të katër kabinave elektrike të katër kateve, ku zjarri fillimisht ka nisur në katin e parë dhe ka vazhduar deri në katin e katërt. Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkakut të përfshirjes së kabinave elektrike nga zjarri.
Ngjarja
Një paciente e cila ka qenë e shtruar në katin e katërt të Spitalit të Durrësit në momentin e rënies së flakëve, ka treguar momentin e para të kësaj ngjarjeje. Ajo ka treguar se ka qenë në gjumë në momentin e ngjarjes dhe se janë bllokuar nga tymi por kanë arritur të dalin përmes shkallëve të emergjencës, përmes ndihmës të personelit mjekësor. ”Isha katin e katërt. Ishte e papritur. Nuk dimë as vetë si ta themi. Ishim në gjumë. Tymi na bllokoi. Ishim katër veta. Ndihmuan njëherë njëra tjetrën pastaj erdhën edhe mjekët. Na ndihmuan dolëm nga shkallët metalike. Tano do iki në banesë. Na kanë thënë se do rikthehemi të hënën. Kishim frikë se ishin gjumë. Nuk është faji i askujt është fati. Të gjithë kanë qenë në gatishmëri”.
Shkallët metalike të emergjencës kanë bërë të mundur shpëtimin e pacientëve gjatë kohës së përfshirjeve nga flakët të spitalit të Durrësit. Shkallët të cilat ndodhen në anën e jashtme të godinës duke i krijuar mundësi pacientëve të largohen me urgjencë. Drejtoresha spitalit të Durrësit, Nadire Jani, thotë se ngrohja e spitalit bëhet me kaldajë, ndërsa nuk ka përjashtuar se mund të ketë pacientë që përdorin rezistencat në dhomat e tyre, duke rritur rrezikun për një zjarr të mundshëm. Ajo tha se shkak i rënies së flakëve ka qenë shkëndija elektrike. Jani shtoi se pavijoni i neurologjisë tashmë është pastruar dhe pacientët janë gati për t’u futur brenda.
“Unë u njoftova nga mjeku i urgjencës dhe direkt erdha. I gjithë stafi erdhi. Bëmë organizimin dhe bëmë evakuimin e pacientëve. Brenda 20 minutave kemi nxjerrë 120 pacientë. Pacientët për momentin janë nëpër shërbimet e spitalit. Ne po presim që policia të mbarojë pjesën e vet procedurale. Specialistët thonë se ka pasur një shkëndijë elektrike. Pavijoni i katit të parë, neurologjia ka përfunduar dhe pacientët janë gati për t’u futur. Situatë zjarri ka pasur edhe më herët. Kemi një sektor mirëmbajtjesh në spital që funksionon brenda normave. Nuk ka një rikonstruksion total por kontrolle periodike. Edhe korridoret kanë ngrohje me kaldajë që nga 15 nëntori. Nuk përjashtohet që kanë rezistenca. I kam tërhequr vëmendjen shpesh herë për rezistencat. Personeli punon me xhaketë, pra nuk është ftohtë. Është problem ana e djathtë e godinës. Ana e majtë mund të funksionojë plotësisht. Spitali në këto kushte mund të punojë”.