”Spiunët” në burg, Ambasada ruse në Tiranë: Keqardhje që shmanget zbatimi i Konventës së Vjenës
Ambasada ruse në Tiranë, ka reaguar në lidhje me rusët e arrestuar pas sulmit në uzinën e armëve në Gramsh, të cilët Gjykata e Elbsanit sot i caktoi masën e sigurisë ”arrest me burg”. Ambasada thotë se ka ndërmarrë në mënyrë të përsëritur përpjekje për t’u lidhur me Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë përmes telefonit apo postës elektronike, por deri ditën e sotme të gjitha kërkesat e tyre kanë mbetur pa përgjigje.
“Pasi nuk morëm asnjë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare lidhur me ndalimin e shtetasve rusë të dyshuar për infiltrim më datë 20 gusht të këtij viti në objektin ushtarak në qytetin e Gramshit, Ambasada Ruse në Shqipëri dërgoi më datë 22 gusht të këtij viti një notë në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për të vënë në dijeni misionin diplomatik rus, në mënyrën e përcaktuar, për identitetin e të ndaluarve, vendndodhjen e tyre aktuale, thelbin e akuzave të ngritura, veprimet e mëtejshme procesuale ndaj tyre, si edhe mundësinë e organizimit të një takimi të përfaqësuesit të Degës Konsullore të Ambasadës me shtetasit rusë të ndaluar.
Ambasada ka ndërmarrë gjithashtu në mënyrë të përsëritur përpjekje për t’u lidhur me MEPJ-në e Shqipërisë nëpërmjet telefonit apo postës elektronike. Megjithatë, deri në ditën e sotme të gjitha kërkesat tona kanë mbetur pa përgjigje. Përkatësisht, për rrethanat e incidentit, fatin e shtetasve rusë të ndaluar, si edhe akuzat e ngritura ndaj tyre ne mund të gjykojmë, bazuar vetëm në njoftimet e medias.
Për sa më sipër, nuk mund të mos ngjallë keqardhje fakti që pala shqiptare shmang zbatimin e ispozitave të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore 1963, e cila përcakton detyrimin e organeve kompetente të vendit pritës për të informuar menjëherë përfaqësuesit konsullorë për ndalimin dhe incidente të tjera që ndodhin me shtetasit e vendit që ata përfaqësojnë”, ishte reagimi i ambasadës ruse për ”Report Tv”.