”Spiunët” në Gramsh/ Ambasada ruse në Tiranë: Asnjë informacion nga autoritetet shqiptare, i kemi dërguar notë ministrisë
Ambasada ruse sqaron se nuk ka marrë informacion nga autoritetet zyrtare shqiptare lidhur me ndalimin e shtetasve rusë të dyshuar për infiltrim që u kapën në uzinën e armëve në Gramsh, ku edhe sulmuan dy ushtarët shqiptarë.
Sipas trupës diplomatike ruse në vend, i është dërguar një notë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për t’i vënë në dijeni për detajet e ngjarjes.
“Misioni diplomatik informohet për incidentin e ndodhur vetëm nga mediat. Ambasada nënvizon se i ka dërguar një notë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë me kërkesën për të vënë në dijeni misionin diplomatik rus, në mënyrën e përcaktuar, për identitetin e të ndaluarve, vendndodhjen e tyre aktuale, thelbin e akuzave të ngritura, veprimet e mëtejshme procesuale ndaj tyre, si edhe mundësinë e organizimit të një takimi të përfaqësuesit të Degës Konsullore të Ambasadës me shtetasit rusë të ndaluar”, thuhet në reagimin e ambasadës.