“Standard & Poor’s vlerëson me B+ ekonominë shqiptare”, Denaj: Agjenda e reformave do të vazhdojë në përmirësim

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) vlerëson ekonominë e Shqipërinë “B+” dhe konfirmon perspektivën “e qëndrueshme” për vendin, njoftoi ministrja e financave Anila denaj në faqen e saj në facebook.

“Pritshmëritë e S&P mbi zhvillimet e qëndrueshme të ekonomisë në periudhën afat-mesme mbeten pozitive, duke vlerësuar reformat dhe menaxhimin e financave publike shqiptare”, tha Denaj.

Por, raporti e vë theksin në nevojën për kryerjen e reformave strukturore dhe tërheqjen e investimeve. “Është kritike që reformat strukturore të përmirësojnë ambientin e biznesit dhe të tërheqin investimet e huaja, në mënyrë që të rritet në mënyrë  të qëndrueshme niveli I të ardhurave afër mesatares rajonale dhe europiane”, thotë raporti.

Sipas raportit, Vlerësimi B+ bazohet në pritshmëritë e S&P për një rritje të qëndrueshme ekonomike gjatë periudhës afat-mesme, vijimin e mbajtjes nën kontroll të deficitit buxhetor dhe uljes së borxhit publik. Agjensia vlerëson se në vitin 2019 deficiti buxhetor ishte në përputhje të plotë me targetin prej 1.9% të PBB, pamvarësisht se u godit nga një tërmet në tremujorin e fundit. Edhe zgjerimi i lehtë i deficitit në 2019 krahasuar me atë të vitit 2018 (1.6%), reflekton kryesisht rritjen e fortë të pagesave të rimbursimit të TVSH, e rrjedhimisht një performancë më të ulët se sa plani i të ardhurave neto nga taksat.

Agjensia pret një rritje të përkohshme të deficitit në vitin 2020 në nivelin 2.2% të PBB, duke qenë se qeveria do punojë intensivisht për ri-ndërtimin pas tërmetit, si dhe njëkohësisht do të vijojë me pastrimin e detyrimeve të prapambetura.

Në vitet më tej, agjensia projekton që deficiti buxhetor do të vijojë të reduktohet gradualisht përgjatë horizontit kohor afatmesëm. Ajo projekton se borxhi publik neto do të bjerë poshtë nivelit prej 60% të PBB deri në vitin 2022, në ndjekje të rregullit fiskal më afat-gjatë të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit për reduktimin e borxhit publik poshtë nivelit prej 45% të PBB. Në këtë aspekt, ecuria mund të jetë edhe më e mirë në sajë të përpjekjeve të autoriteteve për të përmirësuar administrimin e mbledhjes së të ardhurave.

Agjensia vlerëson se autoritetet po vijojnë përpjekjet aktive për të përmirësuar profilin e borxhit publik, për të vijuar rritjen e maturitetit të tij, ulur risqet e rifinancimit dhe ato të kursit të këmbimit. Në këtë aspekt, edhe pse agjensia nuk sheh ndonjë pengesë për huamarrje të sektorit publik në tregun e brendshëm, vlerëson dhe pret që qeveria do vijojë të shohë për mundësi më të mira për të marrë hua në tregjet e huaja të cilat ofrojnë maturitete afat-gjatë.

SHKARKO APP