Stilolapsi iu dorëzua Salianjit/ Zbardhet vendimi i Gjykatës, pse u dënua me 1 vit burg ish-deputeti demokrat
Është zbardhur vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, lidhur me dënimin me 1 vit burg t ëish-deputetit Ervis Salianji, i cili u gjet fajtor për akuzën e dëshmisë së rreme, në rastin e shumë përfolur Babalja.
Gjykata deklaron se Salianji ka gënjyer në interes të Partisë Demokratike, duke krijuar një histori të paqenë në drejtim të vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafaj.
Sipas vendimit të Gjykatës, të siguruar dhe nga gazetari i Fax News Sokol Dema, biseda mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit është regjistruar në Janarin e vitit të kaluar. Sipas Gjykatës regjistrimi është kryer me një stilolaps, të cilin Veliu më pas ja ka dorëzuar Salianjit.
“Biseda e stimuluar mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit është regjistruar në janar 2018. Biseda është regjistruar në një mjet përgjimi stilolaps të cilin Albert Veliu ja ka dorëzuar Ervin Salianjit. Ndërkohë Fredi Alizoti stimuloi zërin e Agron Geron Xhafës”, thuhet mes të tjerash në vendimin e gjykatës Penale.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se ka pasur komunikime të shpeshta mes Veliut, Alizotit, Salianjit dhe Olldashit, edhe pas Janarit kur u regjistrua biseda.
“Në tetor 2017, Albert Veliu ka marrë takim me Ervin Salianjin. Me 20 tetor 2017 Veliu ka biseduar me Salianjin për 51 sekonda. Ky komunikim përveçse motiveve për audiopërgjimin si lidh të pandehurit me asnjë shkak tjetër. Nuk janë as miq as të afërm. Ervin Salianji realizoi kontaktin e Albert Veliut me gazetarin Jetmir Olldashi. Deklarimet publike te Salianjit nuk dhanë asnjë provë për veprën penale të trafikut të drogës në ngarkim të Agron Xhafës.”
Ndërkohë sipas argumentimit të audiopërgjimit, Gjykata shprehet se ka patur një numër të lartë bisedash mes Albert Veliut dhe Fredi Alizotit dhe këto biseda janë kompromentuese.
“Nga të gjitha provat dhe tabulatet telefonike rezulton se zërin e Agron Xhafës e ka bërë Fredi Alizoti. Kjo veprimtari e kallëzimit të rremë nuk mund të konsiderohet e kryer brenda fushës së ushtrimit te funksionit politik te deputetit apo ushtrimit te lirisë së shprehjes”, thuhet më tej në argumentimin prej 60 faqesh të Gjykatës së Shkallës së Parë.
E megjithë dënimin e Salianjit, Alizotit dhe Veliut, Gjykata e pranon në një pjesë të vendimit të saj se nuk ka pasur mundësi të krahasimit të zërit të Agron Xhafajt dhe asaj që shfaet në video. Kjo pasi kampioni që është marrë nga Agroni nuk është i mjaftueshëm për të dhënë një konkluzion përputhshmërie.
“Kampioni i bisedës në regjistrimin “Agroni” në bisedën e dytë, objekt ekspertimi, nuk është i përshtatshëm për të arritur në konkluzion (pozitiv ose negativ) lidhur me zotërinjtë Alizoti dhe Xhafaj. Kampioni i ligjëratës (të folurit) në ‘Agroni’ nuk është i mjaftueshëm (adekuat),për të arritur në konkluzion (pozitiv apo negativ) lidhur me zotërinjtë Alizoti dhe Xhafaj.
Kampioni “Agroni” është i një cilësie shumë të dobët. Arsyeja pse ekspertja ishte në gjendje të arrinte në një konkluzion negativ për z. Hyseni në lidhje me atë, lidhej me faktin se ai dhe “Agroni” kishin shumë dukshëm zëra të ndryshëm. Kjo nuk ishte kështu në lidhje si me z. Alizoti ashtu edhe z. Xhafaj. Ata janë zëra të ngjashëm si me njëri tjetrin ashtu edhe me “Agroni”, të paktën për sa ky i fundit mund të analizohet. Ekspertes do i duhej një regjistrim i një cilësie më të mirë të të folurës së “Agroni” për të arritur në një konkluzion (pozitiv ose negativ) lidhur me zotërinjtë Alizoti dhe Xhafaj.
Sikurse vihet re, përfundimet e arritura në këtë ekspertim duke u parë në raport me deklarimet e të pandehurit Fredi Alizoti dhe provat e tjera të marra gjatë këtij gjykimi e të analizuara gjatë këtyre konkluzioneve, tregojnë bindshem se zëri i subjektit “Agroni” nuk është zëri i shtetasit Geron (Agron) Xhafaj”, thuhet në një pjesë tjetër të vendimit të Gjykatës.