Strazimiri- ambasadorit: Bëji vetë edhe reformën edhe zgjedhjet, meqë heshte kur pushteti gjymtoi gjithçka
Pas ish-bashkëkryetarit të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Oerd Bylykbashi, një tjetër qëndrim i ashpër ndaj ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchard vjen nga selia blu.
Ish-deputeti i PD-së Gent Strazimiri i cili ka qenë dhe anëtar i komisioneve të posaçme parlamentare, si në atë për reformën në drejtësi, ashtu dhe në komisionin e reformës zgjedhore, rreshton të gjitha rastet që sipas tij, ambasadori i OSBE-së ka zgjedhur të heshtte në vend që të reagonte.
Përmes një komenti në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Strazimiri shprehet se përderisa gjithçka, çdo dëm e shfytyrim që i është bërë deri tani demokracisë shqiptare e që ambasadori e ka quajtur “sukses” është bërë pa dialog dhe vetëm përmes 1 partie të vetme, asaj që ka pushtetin, atëherë le ta bëjë ai edhe “reformën zgjedhore”, edhe “zgjedhjet” vetëm me partinë e vetme, atë të pushtetit.
Reagimi i plotë i ish-deputetit demokrat
– Dialog duhej edhe për reformën në drejtësi, por ti e quajte sukses kur u çfytyrua me votat e vetëm 1 partie, asaj të pushtetit…
– Dialog duhej edhe që vendi të mos mbetej pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë e me Gjykata Apeli 1 “po” , 1 “jo” , 1 “ndoshta”, por ti heshte kur pushteti gjymtoi gjithçka deri në asgjësim, me votat e vetëm 1 partie, asaj që ka pushtetin…
– Dialog duhej edhe që vendi të mos mbetej në dorë të një Prokurori të Përgjithshëm “përkohësisht” në dorë të pushtetit, zgjedhur paligjshmërisht nga votat e vetëm 1 partie, asaj qe ka pushtetin…
– Dialog duhej kur media publikoi përgjimet që disponon prokuroria e dalë nga partia e pushtetit, e që dëshmojnë se si partia e pushtetit, pushtetin e ka rrëmbyer përmes pareve dhe influencave kriminale…siç ta kanë pranuar në survey jo më pak se 20% e zgjedhësve…
* Përderisa gjithçka, çdo dëm e çfytyrim që i është bërë deri tani demokracisë shqiptare e që e ke quajtur “sukses” është bërë pa dialog dhe vetëm përmes 1 partie të vetme, asaj që ka pushtetin, bëje edhe “reformën zgjedhore” , edhe “zgjedhjet” vetëm me partinë e vetme…atë të pushtetit…

KOHA JONË SONDAZH

