Studentë e pedagogë bojkot mësimit te UBT, Rama flet për “pakt me universitetin”
Projekti i bashkisë së Tiranës, i cili parashikon ndërtimin e një shkollë të integruar, nëntëvjeçare dhe të mesme pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës ka shkaktuar reagime të forta dhe rezistencë tek pedagogët dhe studentët.
Ata kundërshtojnë me forcë prishjen e fidanishtes së universitetit, ndërsa Asambleja e Pedagogëve ka vendosur si shenjë proteste të bojkotojë procesin mësimor.

Nga ana tjetër, këtë projekt e ka kundërshtuar me forcë edhe Partia Demokratike. Ditën e djeshme nga Kavaja, kryedemokrati Basha tha se prishja e fidanishtes tek korpusi i UBT-së është një lojë e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Sipas tij, pas kësaj fshihet ndërtimi i një lagjeje me pallate 10 katëshe, të cilat do t’u jepen më pas oligarkëve të kreut të bashkisë.
Por, ditë më parë vetë Bashkia e Tiranës përmes nënkryetarit, Arbjan Mazniku pohoi se kjo pronë nuk është e universitetit, por e ka shpronësuar bashkia dhe tashmë ajo do të vihet në dispozicion të ndërtimit të një shkolle, duke pohuar se banorët e kanë nevojë të ngutshme.
Ndërkaq pak minuta më parë, kanali i kryeministrit Rama, ERTV ka nisur transmetimin e një takimi që po zhvillohet mes disa pedagogëve dhe Kryeministrit ku në fokus të tij, siç thotë Rama është i ashtuquajturi “Pakti për Universitetin”.
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2180889065574343/
Por pavarësisht këtyre “Lëvizja për Universitetin” ka paralajmëruar rikthimin e protestave masive, pasi pretendojnë se Rama i ka gënjyer studentët.
Reagimi i plotë:
Gjatë takimit propagandistik të radhës, kryeministri Rama u kujtoi studentëve se si qeveria nuk ka ndër mend t’u japë zgjidhje problemeve të tyre.
1. Në vend të uljes së tarifave në të gjitha nivelet, ai propozoi investime imagjinare në universitete. Pa plan, pa shifra e pa afate.
2. Në vend të demokratizimit të universiteteve duke u dhënë fuqi të barabartë studentëve dhe pedagogëve, ai ripohoi pushtetin e bordeve të kontrolluara nga qeveria.
3. Në vend të fuqizimit të studentëve në kontrollin e pedagogëve abuzues – nga mitmarrja e shitja e detyruar e librave te plagjiaturat – ai premtoi se do të fusë ruspën shtetërore në universitet. Jo për të ndryshuar situatën, por për të zëvendësuar bajraktarët që nuk kontrollon me bajraktarë të bindur.
4. Në vend të rritjes së buxhetit të shtetit për universitetet publike, ai u kërkoi këtyre të fundit të themelojnë firma tregtare për të mbuluar vështirësitë financiare.
5. Në vend të rrëzimit të ligjit klientelist të arsimit të lartë, ai la të kuptohet se pronarët e diplomoreve private do të vazhdojnë të fusin duart në buxhetin e varfër të universiteteve publike.
Në këto kushte, studentëve nuk u mbetet veçse të vazhdojnë me më shumë këmbëngulje dhe intensitet procesin e riorganizimit në bazë fakulteti për të nisur së shpejti një zinxhir protestash masive. Kjo qeveri dhe ky sistem politik marrin vesh vetëm gjuhën e fuqisë dërrmuese të shumësisë studentore dhe qytetare.
/ Koha Jonë
KOHA JONË SONDAZH

