Studimi/ Shqipëria, e treta më e shtrenjtë në Europë për çmimet e apartamenteve
Blerja e një prone në Shqipëri në vitin 2020 dhe veçanërisht në Tiranë duket se do të jetë diçka mjaft e vështirë. Sipas Numbeo, portali më i madh që merret me të dhënat mbi kostot dhe cilësinë e jetesës, Shqipëria renditet vendi i tretë më i shtrenjtë në Europë, pas Serbisë dhe Çekisë. Tregues për këtë është raporti i çmimit të aprtamenteve më të ardhurat e individëve.Për të dalë në një rezultat, merren për bazë të ardhurat neto të një familjeje, çmimi mesatar i një metri katror si dhe kostoja e një kredie për 20 vjet. Sa më i ulët të jetë ky raport, aq më të lehtë e kanë individët e një shteti për të blerë një shtëpi. Shqipëria renditet e treta në vendet më të shtrenjta të Europës, me një indeks prej 14.8, çka nënkupton që një familjeje i duhen gati 15 vjet të ardhura për të blerë një shtëpi.
Serbia e ka indeksin 17.9 dhe Republika Çeke 16.4 vite. Në vitin 2018 Shqipëria renditej e 6-ta në Europë si më e shtrenjta, ndërsa kapërceu shpejt në vend të tretë. Kosova llogaritet si vendi më i lirë në Ballkanin Perëndimor për të blerë një shtëpi, ku raporti çmim/të ardhura të disponueshme është 11. Sipas Numbeo, për Tiranën, indeksi i përballueshmërisë është 17.1, duke e bërë kryeqytetin shqiptar më të shtrenjtë në raport me të ardhurat, sesa qytete të tilla si Roma (16.5), Firence (14.8), Stokholmi (14.7), Vjena (13.7), Barcelona (13.2), Lubjana (13.2), Shkupi (13.5). Shqipëria ka një boshllëk të stokut për një shtresë të mesme të punësuar, të cilët synojnë dhe përballojnë shpenzime mesatare për banesa deri në 1,000 EUR/m2.
Kursimet vjetore të shqiptarëve mund të shkojnë deri në 2000 euro në vit, por një apatament brenda Unazës është 1200 euro/metri. Madje në ndërtimet që po bëhen, çmimet priten të kapin vlerën 4000 euro për metër katror. Shifra të vështira këto për t’u përballuar nga xhepat e shqiptarëve.