Studiuesi Shaban Murati boton librin “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe Kosovës”
Nga VOA-
Diplomati dhe studiuesi i njohur shqiptar, Shaban Murati, sapo ka botuar në Tiranë librin “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe e Kosovës”.
Libri trajton marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – Kosovë në tre vitet e fundit, si dhe raportet e tyre me Serbinë, SHBA-të dhe BE-në.
Autori thekson se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë në pikën e tyre më të ulët.
Por ky është realiteti i hidhur dhe është fakt se marrëdhëniet politike e diplomatike mes Shqipërisë dhe Kosovës janë aktualisht në pikën e tyre më të ulët, që nga koha kur është krijuar shteti i pavarur i Kosovës më 17 shkurt 2008.
Dhe fajin për këtë e ka Shqipëria, bazuar në gjithë analizat e 3 viteve të fundit, thekson zoti Murati.
“Shqipëria për fat të keq, në 3 vitet e fundit kanë qenë pala negative e fushës diplomatike. Pra, Shqipëria ka bërë lojën e tjetër kujt. Kemi një situatë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës që e pafalshme, sepse ka dëmutra kohezionin e faktorit shqiptar, dhe kjo ka shkuar në funksion të strategjisë serbe për të mos lejuar që faktori shqiptar në rajo i dy shteteve shqiptare të bëhet faktori dominues në rajonin e Ballkanit perëndimor” – thotë zoti Murati.
Ambasadori Murati thotë se ky nivel i ulët marrëdhëniesh midis Shqipërisë dhe Kosovës kryesisht vjen nga presioni i fortë i Serbisë, e cila, gjatë mandatit të dytë të qeverisë së Shqipërisë ka gjetur një terren tepër të përshtatshëm për një ofensivë dhe për një imponim të ideve, tezave dhe qëndrimeve jopozitive të qeverisë dhe të diplomacisë serbe.
Shqipëria ka mbështetur zyrtarisht dhe publikisht qëndrimet e Serbisë, ndaj shton ai, ky qëndrim solli një çarje midis publikut shqiptar si dhe midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës.
Në libër trajtohet gjerësisht ajo që autori e quan Doktrina Presidentit amerikan Biden për Ballkanin, që me pak fjalë përmblidhet në luftën kundër korrupsionit si interes strategjik dhe kundër atyre politikanëve që destabilizojnë rajonin, si dhe qendërzimi i dialogut Kosovë – Serbi.
“Ky RoadMap që jep Presidenti Biden, të cilin e përsëriti në muajin mars edhe sekretari Blinken, tregon që doktrina Biden është doktrina e vërtetë e zgjidhjes diplomatike së problematikës së Ballkanit, përfshirë edhe dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Prania dhe veprimtaria e diplomacisë amerikane, e institucioneve amerikane, e shtetit amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë Ballkanin është shumë pozitive për zhvillimin e demokracisë, për stabilitetin e gjithë shteteve të Ballkanit dhe për orientimin e tyre veri-atlantik. Në të njëjtën ajo është barriera më efikase, barriera e vërtetë që mund të ndalojë ndërhyrjen, diversionin, subversionin, gjithnjë e më të intensifikuar të Rusisë në shtetet ballkanike. Barrikada reale diplomatike, politike, ushtarake e në të gjithë fushat është prania, interesi i institucioneve dhe shtetit amerikan në Ballkanin Perëndimor” – thotë zoti Murati.
Studiuesi i njohur dhe autor i një serie botimesh për diplomacinë e Ballkanit, Rusisë dhe Greqisë, ambasadori Murati thekson se është për t’u vlerësuar përpjekja e qeverisë së re të Kosovës për të luftuar korrupsionin e brendshëm dhe për të vendosur barazi në raportet me Serbinë.
Ai thotë se bisedimet qëllimisht të stërzgjatura Kosovë – Serbi në Bruksel mbi 20 vjet me ndërmjetësimin e BE-së janë një rrotullim në vend për të ardhur keq.
Zoti Murati shton se BE-ja nuk ka patur kohezion, e as vullnet diplomatik as politik për ta zgjidhur listën e temave mes Serbisë dhe Kosovës dhe se BE-ja nuk ka qenë dhe as do të jetë në gjendje t’i japë rrugën e duhur këtij dialogu, ndaj duhen mbajtur sytë nga doktrina Biden dhe angazhimi amerikan në rajon, si dhe nga integrimi i vendeve ballkanike në institucionet euro-atlantike.
“Shpresa është që duke u anëtarësuar gjithë Ballkani perëndimor në BE, ky proteksion i BE-së ndaj Ballkanit do të jetë akoma më pozitiv, por mendimi im është që mbrojtja më e madhe e Ballkanit perëndimor do të jetë kur të gjithë shtetet e Ballkanit perëndimor të jenë anëtarë të NATO-s, përfshirë Bosnje-Hercegovinën, Kosovën dhe Serbinë, e cila është gropa e zezë e arkitekturës së sigurisë në Ballkan” – thotë zoti Murati.
Autori thekson se modelimi i Ballkanit me standarte perëndimore kërkon një forcë bindëse teorike, por kërkon edhe një forcë praktike, të cilën e përfaqësojnë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, mesazhi kryesor i librit “Vetëvrasja diplomatike” është që Shqipëria dhe Kosova duhet të ecin me këmbët e veta, të bëjnë shtete të pavarura reale, që të kenë integritetin e tyre. Në mënyrë të veçantë udhëheqësit duhet të kenë integritetin e tyre shtetëror kombëtar dhe personal, gjë që, sipas tij, udhëheqësve të Shqipërisë u ka munguar 30 viteve të fundit.
Intervista me ambasador Shaban Murati, diplomati i njohur shqiptar, i cili sapo ka botuar librin “Vetëvrasja diplomatike e Shqipërisë dhe e Kosovës”
Zëri i Amerikës: Ambasador Murati! Libri juaj i ri me studime është “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe Shqipërisë”. Pse ky titull dhe cilat janë disa nga çështjet kryesore që ju shqetësojnë më shumë dhe që trajtohen në libër?
Shaban Murati: Së pari, falenderoj stacionin tuaj prestigjoz, që më jepni mundësi të bisedojmë për librin tim.
Këtë titull e kam vendosur me dhimbje, sepse është një realitet i hidhur që nuk kam dashur ta pranoj si diplomat, si studiues, por përballë realitetit çdo autor përpiqet të bëjë atë që është për t’u theksuar në momentin aktual.
E kam titulluar “Vetëvrasja politike e Kosovës dhe Shqipërisë” për të theksuar se diplomacia e Kosovës dhe e Shqipërisë, lidhur me qëndrimet ndaj gjithë dinamikës diplomatike të çështjes së normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës gjatë 3 viteve të fundit, kanë shkuar drejt një moskuptimi, një hutimi të interesit shtetëror dhe kombëtar, i cili praktikisht mund të përkufizohet si një vetëvrasje e interesit shtetëror dhe kombëtar të Kosovës dhe Shqipërisë. Pse? Sepse marrjen, përqafimin, ose adoptimin e tezave, qëndrimeve, politikave, e kushteve të diplomacisë serbe, ruse apo të një pjese të diplomacisë burokratike europiane, që nuk është në përputhje me interesat euro – atlantike perëndimore unë e quaj vërtet një vetëvrasje të diplomacisë shqiptare. Pra, ne vet si shtete, dy shtete shqiptare kemi ecur në gjurmë të gabuara në fushën diplomatike.
Zëri i Amerikës: Si i vlerësoni në këto çaste marrëdhëniet diplomatike, ekonomike apo të shumëllojshme midis Shqipërisë dhe Kosovës?
Shaban Murati: Mua, që kam ndjekur me dekada këto marrëdhënie dhe probleme midis Shqipërisë dhe Kosovës, nuk më vjen mirë të dal në një vlerësim vërtet të dhimshëm:
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës në planin politik dhe diplomatik janë në nivelin e tyre më të ulët që nga koha kur është krijuar shteti i pavarur i Kosovës më 17 shkurt 2008.
Unë i kam mëshuar vazhdimisht kësaj teze për faktin se dy shtetet shqiptare nuk kanë qenë në gjendje të krijojnë atë marrëdhënie të veçantë, specifike dhe speciale që duhet të kenë dy shtete shqiptare.
Ne mund të bëjmë një krahasim shumë të thjeshtë. Janë dy shtete greke: Greqia dhe Qipro, por kurrë nuk ka ndodhur që ata të grinden midis tyre për çështje të interesit kombëtar.
Po ashtu Serbia dhe Republika Srbska, dy entitete, por nuk ka ndodhur kurrë që udhëheqësit e Serbisë dhe të Serbska Republika të grinden me njëri tjetrin.
Më falni për termin, por është vërtet skandaloze që udhëheqësit e Shqipërisë e kanë patur grindjen me Kosovën publike, juridike, diplomatike, e cila grindje shpesh ka marrë forma edhe komike, sepse është bërë në sy të udhëheqësve të Serbisë.
Kjo tregon se udhëheqësit tanë kanë harruar minimumin e etikës diplomatike, që është vetëpërmbajtja në raportet midis dy shteteve, që kanë marrëdhënie diplomatike.
Pastaj, për të kaluar në një fazë tjetër: është e paimagjinueshme dhe e papranueshme që dy shtete shqiptare nuk e bëjnë këtë, që duhet të ishin shembulli i marrëdhënieve speciale si Greqia me Qipron, ose si Serbia me Serbska Republika, e cila nuk është shtet, por jep një shembull të kohezionit të tyre shtetëror dhe kombëtar.
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës janë në pikën më të ulët dhe fajin për këtë e ka Shqipëria, bazuar në gjithë analizat e 3 viteve të fundit.
Zëri i Amerikës: Nga burojnë gjithë këto moskuptime dhe ky nivel i ulët, sipas jush, i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shqipërisë?
Shaban Murati: Unë mendoj që janë dy arësye, ose dy burime: e para është mospërgatitja e duhur profesionale, diplomatike e atyre që drejtojnë diplomacinë, që nuk arrijnë të kuptojnë se cili është thelbi i strategjisë dhe veprimtarisë diplomatike një shteti sovran.
E dyta, mendoj se është presioni i fortë i shteteve fqinje dhe konkretisht është presioni i Serbisë, e cila, për fat të keq, gjatë mandatit të dytë të qeverisë së Shqipërisë ka gjetur një terren tepër tepër të përshtatshëm për një ofensivë dhe për një imponim të ideve, tezave dhe qëndrimeve jopozitive të qeverisë dhe të diplomacisë serbe.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në pikën e tyre më të ulët, sepse, për fat të keq, 3 vitet e fundit ato kanë patur një konfrontim lidhur me ato që ofronte Serbia, Rusia dhe një pjesë e diplomacisë burokratike e BE-së lidhur me dialogun midis Serbisë dhe Kosovës.
Shqipëria në 3 vitet e fundit kanë qenë pala negative e fushës diplomatike.
Pra, Shqipëria ka bërë lojën e tjetër kujt. Këtë e them me dhimbje dhe e argumentoj në libër. Shqipëria ka mbështetur zyrtarisht dhe publikisht qëndrimet e Serbisë.
Ky qëndrim solli një çarje midis publikut shqiptar si dhe midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës.
Nuk gjendet në asnjë manual profesional se si mund të ndodhë që Shqipëria, një shtet në marrëdhënie diplomatike me Kosovën, dhe udhëheqësit e Shqipërisë ndërmarrin sulme publike diplomatike dhe politike ndaj udhëheqësve të Kosovës.
Janë sulme që janë ndërmarrë në prani të udhëheqësve serbë në Vienë, në Moskë apo në qytete të tjera.
Është arritur ajo shkallë kur dy pjesëtarë të familjes sulmohen në publik. Njëri vëlla sillet arrogant ose brutal ndaj vëllait të vet. Diplomacia e vendeve që nuk na duhen të mirën qeshin me ne.
Kemi një situatë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës që e pafalshme, sepse ka dëmtuar kohezionin e faktorit shqiptar, dhe kjo ka shkuar në funksion të strategjisë serbe për të mos lejuar që faktori shqiptar në rajon i dy shteteve shqiptare të bëhet faktori dominues në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Zëri i Amerikës: Si do t’i vlerësoni veprimtarinë e deritanishme të qeverisë Kurti në aspektin e qeverisjes së brendshme, çështjeve kufitare me fqinjët, apo edhe më gjerë në raportet diplomatike dhe në aksionin e madh të tyre për t’u njohur shteti i Kosovës sa më gjerë në botë?
Shaban Murati: Pozita politike dhe diplomatike e çdo qeverie në Kosovë është një pozitë e vështirë në kuptimin e përballimit të problemeve që ajo has, duke patur një fqinj aq agresiv jo vetëm për kufijtë ndërshtetërorë, por është një shtet, i cili ka arritur të akaparojë një enklavë brenda territorit sovran të shtetit të Kosovës, siç është pjesa veriore e Kosovës, e cila është fitili që Serbia e ndez çdo herë për të ngritur zjarrin midis dy shteteve.
Duke parasysh qeverinë e re të qeverisë Kurti mendoj që është ndoshta ende herët për të gjykuar plotësisht, se një qeveri do së paku një vit për të gjykuar mbi ecurinë e politikës së brendshme dhe politikës së jashtme, por edhe me shenjat e deritanishme.
Mendoj që në planin e brendshëm duhet përshëndetur plani apo ambicja e qeverisë së re për të luftuar korrupsionin.
Dihet që korrupsioni është një problem shumë i madh në Ballkan, jo vetëm në Kosovë. Korrupsioni ka zhvlerësuar shumë vlera politike në forcat politike në Kosovë.
Ky impostim në këtë plan i qeverisë së re mendoj që është pozitiv dhe do të ketë efekte pozitive, nëse nuk do të pengohet nga brenda Kosovës, nga forca destruktive, që janë të lidhura me krimin e organizuar dhe me korrupsionin zyrtar.
E marrë në planin e marrëdhënieve me Serbinë, aspekti pozitiv i qeverisë së re Kurti është përpjekja për të vendosur një simetri të marrëdhënieve midis këtyre dy shteteve.
E theksoj këtë sepse qysh kur nisën bisedimet në vitin 2011 ka patur një impostim asimetrik të marrëdhënieve, ku Serbia është trajtuar si shteti metropol, kurse Kosova si shteti provincë, ose si shteti koloni.
E keqja është që nganjëherë ka ndodhur që edhe vet pala shqiptare është pajtuar me këtë status gjatë gjithë këtij dhjetë vjeçari.
Vet përqëndrimi i dialogut Shqipëri – Kosovë në problemet teknike ka qenë, për mendimin tim, një qëndrim i gabuar, sepse bisedimet teknike nuk mund të zgjasin 10 apo 20 vjet.
Gjëja e parë në dialogun midis dy shteteve është dialogu politik. Dialogu politik i hap rrugën cdo normalizimi në marrëdhëniet e tjera midis dy shteteve.
Prandaj do ta quaja pozitive përpjekjen e qeverisë së re për të vendosur një reciprocitet. Mendoj se ishte qëndrim i drejtë kërkesa për barazimin e pozicioneve pavarësisht se me vonesë.
Marrëveshja ishte e vitit 2016 dhe qeveria e Kosovës kujtohet në vitin 2021. Pra, është gabimi i gjithë qeverive paraardhëse, por të paktën u ndërmor hapi.
Siç theksoi edhe zëvendës ndihmës sekretari i shtetit Escobar para pak ditësh në bisedimet për çështjen e targave në Bruksel, ku ai pati një rol shumë të rëndësishëm, u vendos për sistemin e barazisë midis dy shteteve.
Qoftë për çështjen e targave, edhe për çështjen e taksës ekonomike, unë mendoj se janë pozitive dhe duhet mbështetur qeveria e re Kurti në detyrimin e Serbisë të pranojë realitetin e bisedës së dy shteteve.
Unë i kam mëshuar vazhdimisht në librat e mia që Kosova, pa imponuar statusin e saj si shtet i pavarur nuk do të arrijë kurrë rezultatin e duhur të synuar nga të gjithë në dialogun mes Serbisë me Kosovën.
Zëri i Amerikës: Po ecurinë e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë si e vlerësoni? Është thënë shpesh se në këto bisedime janë të nevojshëm ndërmjetësues dhe garantë ndërkombëtarë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Cili nga këta negociatorë mendoni ju se do të ishte më shumë i rëndësishëm në suksesin e këtyre bisedimeve?
Shaban Murati: Bisedimet e stërzgjatura Kosovë – Serbi në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së unë i quaj rrotullim në vend dhe janë vërtet për të ardhur keq. Bisedimet nuk mund të zgjasin në pakufi. Në aspektin diplomatik zgjatja pa kufi është e qëllimshme, së pari.
E dyta, BE-ja nuk ka patur kohezion, madje nuk ka patur as vullnet diplomatik as politik për ta zgjidhur listën e temave mes Serbisë dhe Kosovës.
Ne kemi parë shumë nisma, shumë ndërmjetës, por nga përvoja e gjatë e imja në fushën e diplomacisë dhe të analitikës, dhe nga vet realiteti diplomatik ballkanik që nga 1991 e deri tani që bisedojmë, BE-ja nuk ka qenë dhe as do të jetë në gjendje t’i japë rrugën e duhur këtij dialogu.
Në librin tim unë analizoj atë që e quaj Doktrina Biden për Ballkanin. Ajo është diçka e re dhe shumë interesante dhe unë e quaj zgjidhja e problematikës ballkanike.
Pse e quaj kështu? Le të marrim që nga Urdhëri Ekzekutiv i Presidentit Biden i 8 qershorit 2021.
Ky është një akt i jashtëzakonshëm, që tregon interesimin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor.
Kemi në të edhe dy elementë të rëndësishëm themeltar; që korrupsioni në vendet e Ballkanit Perëndimor është interes strategjik dhe i politikës së jashtme të SHBA-ve; dhe e dyta që është akoma më e rëndësishme është që SHBA në Urdhërin Ekzekutiv të Presidentit përcaktojnë ndjekjen penale të autoriteteve ose individëve politikë, të cilët destabilizojnë rajonin.
Theksi i madh dhe i ri për ne është që për herë të parë, përveç shteteve të ish-Jugosllavisë, në Urdhërin Ekzekutiv të Presidentit të SHBA-ve përfshihet Shqipëria.
Pra, i gjithë Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, është në lupën dhe në ndjekjen e interesit të politikës së jashtme amerikane.
Një tjetër pjesë e rëndësishme është që më 15 shkurt të këtij viti Presidenti Biden i ka dërguar telegram Presidentit të Serbisë Vuçiç me rastin e festës kombëtare, në të cilin për herë të parë imposton në mënyrën më të qartë, më të thjeshtë dhe më të përcaktuar diplomatike që dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet të qendërzohet.
Ky është termi që përdor Presidenti Biden për njohjen reciproke midis dy shteteve: qendërzim. Çdo diplomat dhe çdo njeri i thjeshtë, çdo politikan apo studiues, kur sheh këtë porosi diplomatike ose këtë rrugëzgjidhje që jep presidenti amerikan, në mënyrë automatike zhvlerëson çdo lloj garniture që mund t’i afrohet dialogu qoftë nga Brukseli, Parisi apo Moska, ose nga Beogradi.
Ky RoadMap që jep presidenti Biden, të cilin e përsëriti në muajin mars edhe sekretari Blinken, tregon që doktrina Biden është doktrina e vërtetë e zgjidhjes diplomatike së problematikës së Ballkanit, përfshirë edhe dialogun midis Serbisë dhe Kosovës.
Zëri i Amerikës: Nga ana tjetër, si e gjykoni ju ndikimin që përpiqen të kenë në rajon aktorë të tjerë si Rusia, që bashkëpunon me Serbinë, duke provokuar atmosferë problematike në Ballkan?
Shaban Murati: Prania dhe veprimtaria e diplomacisë amerikane, e institucioneve amerikane, e shtetit amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë Ballkanin është shumë pozitive për zhvillimin e demokracisë, për stabilitetin e gjithë shteteve të Ballkanit dhe për orientimin e tyre veri-atlantik.
Në të njëjtën kohë ajo është barriera më efikase, barriera e vërtetë që mund të ndalojë ndërhyrjen, diversionin, subversionin, gjithnjë e më të intensifikuar të Rusisë në shtetet ballkanike e sidomos në Ballkanin Perëndimor, i cili duke qenë pjesa më e dobët dhe më delikate e gjithë arkitekturës euro-atlantike të sigurisë, është objekt i një ndërhyrje të jashtëzakonshme të Rusisë në punët e Ballkanit.
Barrikada reale diplomatike, politike, ushtarake e në të gjithë fushat është prania, interesi i institucioneve dhe shtetit amerikan në Ballkanin Perëndimor.
Funksioni i BE-së në këtë rast është një funksion ndihmës, komplementar, por nuk mund të marrë një rol qendror. Vet historia e Ballkanit ka treguar që SHBA mund të jetë i vetmi shpëtim i vlerave demokratike reale në rajonin tonë.
Zëri i Amerikës: Integrimi i Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit në BE sa do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes dhe forcimin e institucioneve demokratike në rajon?
Shaban Murati: Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE duhet të ndihmojë për krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e demokracisë në këto vende.
Por po ta shohësh me sy realist, fakti që këto vende kanë së paku 20 vjet, qysh nga viti 2020 kur për herë të parë në Samitin e Zagrebit BE – Ballkan perëndimor, që të hyjnë në BE, ka ndikim pjesor.
Nuk mendoj që në mënyrë automatike BE-ja do të zbatojë gjithë normativën e saj demokratike perëndimore.
Vendet e Ballkanit perëndimor ka një traditë negative në fushën e demokracisë, kanë deficite të mëdha psiko – mentale në kuptimin e ndërtimit të një shoqërie të vërtetë demokratike.
Modelimi i Ballkanit me standarte perëndimore kërkon një forcë bindëse teorike, por kërkon edhe një forcë praktike, të cilën e përfaqësojnë vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëri i Amerikës: Çfarë frytesh konkrete do të kenë popujt e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, nga afrimi me BE-në, nisur edhe nga faktiqë edhe SHBA-të po bëjnë thirrje që këto vende të pranohen sa më parë në BE?
Shaban Murati: Sekretari amerikan Blinken dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së Borrel bënë edhe një apel të përbashkët para pak ditësh për pranimin e vendeve të Ballkanit perëndimor në BE.
Kjo është vërtet pozitive, sepse të gjithë jemi të bindur se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të krijojë një proteksion politik dhe diplomatik përballë ndërhyrjeve ose joshjeve të vazhdueshme të Rusisë për ta tërhequr Ballkanin nga ana e saj.
Kemi rastin e Serbisë, i cili është shteti i vetëm ballkanik, i cili ka traktat strategjik me Rusinë dhe është shteti i vetëm ballkanik, që ka traktat strategjik me Kinën.
Kjo tregon që vet Serbia është e tërhequr nga dy pole që janë rivalë me qendrat e tjera të pushtetit global SHBA dhe BE.
Shpresa është që, duke u anëtarësuar gjithë Ballkani perëndimor në BE, ky proteksion i BE-së ndaj Ballkanit do të jetë akoma më pozitiv, por mendimi im është që mbrojtja më e madhe e Ballkanit perëndimor do të jetë kur të gjithë shtetet e Ballkanit perëndimor të jenë anëtarë të NATO-s, përfshirë Bosnje-Hercegovinën, Kosovën dhe Serbinë, e cila është gropa e zezë e arkitekturës së sigurisë në Ballkan.
Mesazhi im kryesor është që Shqipëria dhe Kosova duhet të ecin me këmbët e veta, të bëjnë shtete të pavarura reale, që të kenë integritetin e tyre.
Në mënyrë të veçantë udhëheqësit duhet të kenë integritetin e tyre shtetëror kombëtar dhe personal, gjë që për fat të keq, udhëheqësve të Shqipërisë u ka munguar 30 viteve të fundit.