Sulmet terroriste në Europë, Policia Shqiptare kalon në gatishmëri
Policia e Shtetit, antiterrori dhe shërbimet inteligjente shqiptare kanë kaluar në gatishmëri pas sulmeve terroriste që kanë ndodhur dje dhe sot në disa vende të Europës.
Agjentë antiterror janë stacionuar në pikat kufitare dhe në zonat e plazheve kryesore të vendit ku ka fluks të madh turistësh. Ndërkohë që shërbimet inteligjente janë në kontakte të vazhdueshme me shërbimet partnere për identifikimin dhe parandalimin e çdo rreziku të mundshëm terrorist.
Top Channel raporton se masa kryesore e Policisë së Shtetit lidhet me angazhimin e agjentëve të antiterrorit që po mbajnë nën vëzhgim personat me prirje radikale, por edhe lidhjet e tyre.
Kjo procedurë e drejtuar nga Antiterrori, por edhe Shërbimi Informativ po zbatohet në mënyrë të pandërprerë për shkak të dy dosjeve të bujshme gjyqësore që kanë në brendi që nga akuzat e terrorizmit, deri tek rekrutimet për luftime në Siri.
Njëra nga dosjet është e njohur si “Imamët”, tashmë të shpallur fajtorë edhe nga Apeli i Krimeve të Rënda. Dosja e dytë ka nën akuzë vetëm në Shqipëri 4 të dyshuar dhe në Kosovë 18 të tjerë, që dyshohen se po planifikonin një sulm terrorist në stadiumin ku do të mbahej ndeshja Shqipëri-Izrael.
Gjatë këtij sezoni turistik bëhet e ditur se, veçanërisht në pikën kufitare të Morinës dhe të Qafë-Thanës agjentë të Antiterrorit që gjenden në gadishmëri kanë intervistuar persona që fillmisht janë vlerësuar si të dyshimtë për të udhëtuar drejt Shqipërisë.
Por, megjithë masat e policisë, ndryshimet në Kodin e Procedures Penale parashikojnë transferimin për shqyrtimin e veprave të terrorizmit nga Krimet e Rënda në gjykatat e rretheve.
Kalimi në gatishmëri i gjithë strukturave të sigurisë vjen pas një vale terrori në disa vende të Europës. Në Spanjë dje u vranë 14 turistë dhe u plagosën 80 të tjerë, pas një sulmi terrorist në një prej zonave më të frekuentuara nga turistët. Në Finlandë ndodhi sot një sulm me thikë nga një terrorist i cili plagosi disa persona. Një sulm i ngjashëm ndodhi disa orë më pas në Gjermani.
Të gjitha këto ngjarje kanë bërë që Policia Shqiptare të vihet në gatishmëri duke përforcuar masat në pikat doganore dhe ambientet publike.

