
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar ndaj raportimeve që pretendojnë se sulmi me dron detar kundër një korvete ruse është nisur nga territori shqiptar. Sipas ministrisë, këto raportime janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet.
Në reagimin e saj në X, MEPJ thekson se Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident. Territori i saj nuk është përdorur dhe as është vënë në dispozicion për nisjen ose lehtësimin e një sulmi të tillë.
Ministria i hedh poshtë kategorikisht akuzat për sulmin ndaj korvetës ruse. Sipas saj, ato janë paraqitur pa prova të verifikueshme. Ajo u bën thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre të korrigjojnë informacionin. Po ashtu, kërkon saktësi, kujdes dhe përgjegjshmëri kur raportohet për çështje të tilla të ndjeshme, në një kontekst ku sulmet ajrore ruse ndaj Ukrainës dhe raketat ruse që ranë në Poloni kanë rritur ndjeshmërinë e raportimeve për incidente të tilla.
