Sulmi ndaj banesës së Lalës, Peleshi: Janë akte frikacake të autorëve
“Ka një angazhim të jashtëzakonshëm për të zbuluar sa më shpejt autorët e sulmit ndaj banesës së gazetares Klodiana Lala dhe për t’i çuar ata para organeve të drejtësisë”.
Kështu konfirmoi sot në mbrëmje ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, duke shtuar se “këto janë përpëlitje apo akte frikacake të segmenteve kriminale në një shtet ku drejtësia është kthyer në kryefjalë”.
I ftuar në një studio televizive ku foli për tematikat që lidhen me dikasterin që ai drejton, Peleshi dënoi fillimisht sulmin ndaj gazetares Lala.
“Kjo është një ngjarje e rëndë jo vetëm për komunitetin e gazetarëve, por për gjithë shoqërinë. Kjo ngjarje na kujton edhe njëherë se lufta ndaj krimit të organizuar dhe për vendosjen e sundimit të ligjit është një proces që nuk ka një fillim dhe fund”, tha Peleshi.
Ai shprehu bindjen se, “do të kemi rezultate shumë të shpejta të hetimit, për t’i dhënë edhe një goditje këtyre elementëve kriminalë”.
KOHA JONË SONDAZH

